Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Knaus në profilin e tij në “X”, shkruan se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i mirë për të gjithë. “Përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Serbët e Kosovës përfitojnë. Për këtë arsye, Serbia duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë ai.
Knaus thotë po ashtu se Beogradi nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk do t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë atë dhe do të abstenojë në votimin për anëtarësim në maj.
Gjithashtu, ai ka përmendur disa pika të marrëveshjes së Ohrit, e cila thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe se asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët që të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE.
Ndryshe, Vuçiç të premten deklaroi se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare. Për këtë reagoi edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.