Prokuroria e Posaçme publikoi raportin vjetor për vitin e shkuar. Duke u ndaluar te ngjarjes kriminale, raporti thekson veçoritë që grupet e krimit të organizuar kanë në vendin tonë. Raporti tregon edhe shtrirjen e grupeve kriminale, ku përveç formave të sofistikuara të vrasjeve me pagesë, prej tyre po përdoren gjithnjë e më shumë aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për komunikime sekrete.
Pjese nga raporti i SPAK 2023
Veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare
Nga analiza e hetimeve të kryera në vitin 2023, veçoritë më specifike të grupeve kriminale shqiptare janë një anëtarësi mesatare e pjesëtarëve të grupit prej 15-25 personash. Grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj. Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare.
Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe të cilat janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale. Grupet shqiptare të cilat e kanë këtë veçori, janë kryesisht grupe, të cilët kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por të cilat kanë gjithashtu shtrirje dhe aktivitet kriminal edhe në tregjet kriminale ndërkombëtare.
Në rastet e kryerjes së veprimtarisë në tregjet ndërkombëtare kriminale, grupet shqiptare bashkëpunojnë edhe më grupe të tjera për shërbime të cilat nuk mund të mbulohen prej tyre.
Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë.
Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin.
Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale.
Format e sofistikuara të vrasjeve, duke shmangur lënien e gjurmëve janë një tjetër karakteristikë e grupeve kriminale.Tashmë janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. Vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime.
Kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. Duhet cilësuar se ky fenomen është vënë re më së shumti tek grupet kriminale, të cilat kanë kryer transaksione me anë të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet aktiviteteve tregtare të ashtuquajtura “call center”.
Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri
Struktura e këtyre grupeve varet kryesisht nga lloji i aktivitetit kriminal, kohëzgjatja, zona ku veprojnë dhe shtrirja e tyre në tregjet kriminale ndërkombëtare.
Nga hetimet e vitit 2023, vihet re se disa nga grupet kriminale të njohura në vend, tashmë tregojnë sa kanë arritur të sofistikojnë veprimet e tyre, kjo dhe si rezultat i përplasjeve me grupet e tjera rivale. Këto grupe janë poli- kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.
Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm. Struktura e këtyre grupeve kriminale është hierarkike me ndarje të qarta rolesh, dhe me një numër mesatar anëtaresh prej 10-15 personash. Lidhjet e tyre bazohen në lidhje familjare dhe shoqërore. Pjesa vendimmarrëse bazohet tek lidhjet familjare.
Siç u cilësua më lart, ajo që vihet re në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre. Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, ju kanë ofruar këtyre grupeve lidhjet e tyre në policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët.
Harta e tregjeve kriminale
Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar. Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.
Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.
Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit.
Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.
Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona.
Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve.