Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë spanjolle pas një operacioni antidrogë, ku u sekuestruan 16 ton pelet, brenda të cilit kishte kokainë. Sipas autoriteteve spanjolle, të arrestuarit e importonin drogën përmes kontejnerëve detarë.
Organizata kishte dy depo industriale në Reus (Tarragona). E para prej tyre kishte për qëllim ruajtjen dhe ftohjen e lëndës, ndërsa e dyta përdorej për paketimin, mbylljen dhe ruajtjen e drogës pasi nxirrej nga materiali në të cilin ishte kamufluar.
Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar 5 kilogramë drogë sintetike – speed dhe MDMA – 3965 euro cash, dy presa hidraulike, material për prodhimin e lëndëve narkotike, një kamion dhe një automjet.
Në magazinën e dytë agjentët zbuluan më shumë se pesë kilogramë drogë të ndryshme sintetike dhe pajisje të përdorura për prodhimin e lëndës narkotike.
Anëtarët e organizatës e kalonin drogën përmes porteve spanjolle, duke përdorur kontejnerë detarë. Për ta bërë këtë, ata përdornin metoda shumë të sofistikuara fshehjeje, duke kamufluar drogën në materiale të ndryshme për të vështirësuar zbulimin e saj.