Kosova nuk ka ndryshuar pozitën në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset më të suksesshme të futbollit, nëse për bazë merret ranglista e muajit të kaluar. Por përparimi i Kosovës është goxha i madh nëse krahasohet pozita në ranglistën e publikuar të enjten me pozitën në ranglistën e publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Madje Kosova është prej përfaqësueseve që kanë përparuar më së shumti në botë gjatë 12 muajve të fundit. Nëse për bazë merret vetëm Evropa, përkatësisht Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), Kosova është e dyta prej përfaqësueseve që ka përparuar më së shumti. Më shumë në ranglistën e FIFA-s, në bazë të pikëve të fituara nga rezultatet e arritura, ka përparuar vetëm Italia, shkruan sot “Koha Ditore”.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) të enjten ka publikuar ranglistën e fundit për vitin 2019. Kosova renditet në vendin e 115-të, të cilën pozitë e kishte edhe në ranglistën e muajit nëntor. Kosova për një vit ka përparuar për 16 pozita. Në dhjetor të vitit të kaluar ishte në vendin e 131-të.
Synim i moçëm i Kosovës është kalimi në Top 100 të ranglistës së FIFA-s, që nuk e ka arritur deri më tash. Kosova është shumë më lart se pozita mesatare e saj në ranglistën e FIFA-s, që është ajo 155. Në vitin 2016 Kosova ishte në vend të 165-të. Në vitin 2017 pësoi rënie – 177. Vitin e kaluar e përmbylli në vend të 131-të dhe tani e përmbyll në vend të 115-të. Pra, ecja para është evidente. Në tetor Kosova ishte në vend të 114-t, por humbi një pozitë në nëntor, pas disfatave nga Çekia e Anglia.