Ekspertët e mbrojtjes kanë folur për CNN nëse dhe si Izraeli mund t’i përgjigjet sulmeve të kësaj fundjave nga Irani. Michael Oren, ish-ambasador izraelit në Shtetet e Bashkuara, i tha CNN se “rregullat duhet të ndryshohen” pas sulmit të së shtunës mbrëma.
“Do të varet kryesisht nga shkalla e dëmit të shkaktuar nga kjo valë e parë e dronëve dhe raketave iraniane”, citohet të ketë thënë Oren.
“Por në çdo rast, ne jemi në Lindjen e Mesme dhe presioni dhe parandalimi llogariten shumë këtu. Nuk mendoj se Izraeli mund të goditet në këtë mënyrë në një shkallë kaq masive dhe të mos përgjigjet në një mënyrë domethënëse”.
Ndërsa Eyal Hulata, një ish-këshilltar izraelit për sigurinë kombëtare, theksoi se hakmarrja ushtarake nuk është përgjigja e vetme në dispozicion, duke shtuar se sanksione të tjera ndërkombëtare kundër Iranit mund të jenë të mundshme.
Ndryshe, SHBA njoftoi sanksione ndaj Iranit në shkurt – duke synuar një sërë nismash keqdashëse iraniane, duke përfshirë luftën kibernetike dhe programet e tyre me dron.
“Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë. Ky është Irani që kalon të gjithë vijat. Por nuk mjafton vetëm të pyesim se çfarë duhet të bëjë Izraeli, por gjithashtu, çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar kur Irani ka bërë diçka kaq të paimagjinueshme”, mendon Hulata.
Irani ka qenë nën një mori sanksionesh ndërkombëtare për vite të tëra, të cilat kanë goditur ekonominë e vendit. Por ato kanë pasur ndikim të kufizuar në ndryshimin e qasjes së qeverisë ndaj Izraelit dhe Lindjes së Mesme më gjerë.