Kriminelët shqiptarë, të dënuar ne burg në Britaninë e Madhe që sillen në Shqipëri për të kryer dënimin, do të transferohen në burgje ku ka edhe dhoma për të bërë dashuri, shkruan britanikja “Mirror”.
Të burgosurit kanë të drejtën e një takimi intim 4 orë në muaj me partneren e tyre, ndryshe nga këtu (Britani) ku nuk lejohen vizitat bashkëshortore.
Janë 200 shqiptarë që rezultojnë të dënuar në Britani, mes tyre dhe ata me akuza të rënda për vrasje e përdhunim, do të transferohen në burgjet shqiptare sipas marrëveshjes me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas rregullores së burgjeve në Shqipëri: Çdo burg duhet të ketë një ambient të veçantë për takimet e bashkëshortore. Këto dhoma duhet të kenë shtretër dhe çarçafë të cilët duhet të ndërrohen në fund të çdo takimi. Vizitat lejohen për të dënuarin që është i martuar ose bashkëjeton sipas Kodit të Familjes pasi gruaja të jetë kontrolluar nga policia”.
Një tjetër avantazh që do të gëzojnë të dënuarit shqiptarë që do të vuajnë dënimin në këto burgje – ndryshe nëse do të vuanin dënimin në Britani – është se mund të pranojnë paketa me ushqime dhe rroba nga familja, kanë ambiente personale gatimi dhe mund të marrin leje deri në shtatë ditë për sjellje të mirë.
Në mesin e të riatdhesuarve është edhe një “lord droge”, i cili u transferua në një burg në Tiranë, dy javë më parë,
Bëhet fjalë për Erald Memën, 39 vjeç, i cili u dënua me 25 vjet nga një gjykatës në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit në tetor 2018 për një trafikim droge, konkretisht kokaine. Nga 25 vjet burg, gjykata në Shqipëri i njohu Erald Memës 15 vjet dënim.
Rreth 12 vrasës, 8 përdhunues dhe më shumë se 100 fajtorë për vepra droge ose armë zjarri pritet të kthehen në Shqipëri për të vuajtur dënimin me burg të caktuar nga drejtësia britanike.
Disa do të kryejnë më pak burg krahasuar me atë që do të kryenin në Mbretërinë e Bashkuar, pasi dënimet e tyre janë konvertuar me legjislacionin shqiptar.