Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten, ka takuar kongresmenin nga radhët e Partisë Republikane, Pete Sesions.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Osmani e ka cilësuar si kënaqësi takimin me anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ligjvënësit amerikanë vazhdojnë të jenë një zë jetik për Kosovën. Ne e vlerësojmë avokimin e tyre të qëndrueshëm, i cili ka qenë vendimtar në formësimin e së kaluarës së Kosovës dhe do të jetë thelbësore për të ardhmen tonë”, ka shkruar Osmani në X.
Osmani, të martën u takua me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.
Takimin fillimisht e njoftoi Osmani, ndërsa Thomas-Greenfield, të mërkurën, nëpërmjet një komunikate për media, ka potencuar se në takim ka theksuar rëndësinë e qetësisë në Veri të Kosovës sidomos për stabilitetin e rajonit.
“Ambasadorja Thomas-Greenfield nënvizoi partneritetin e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për një sërë çështjesh. Ambasadorja theksoi rëndësinë e qetësisë në Veri të Kosovës për stabilizimin e rajonit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq Osmani ka theksuar se ka diskutuar me diplomaten amerikane mbi zhvillimet e sigurisë në rajon dhe mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën në skenën ndërkombëtare.
“Gjithmonë kam kënaqësi të takoj, Linda Thomas Greenfield, një mbështetëse e vendosur e vendit tonë, e angazhuar me të vërtetë për avancimin e partneritet mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Osmani në platformën sociale, X.