Nga Lyse Doucet, BBC
Në Republikën Islamike, një funeral i madh si ky është një moment jo vetëm për të vajtuar, por për të projektuar forcën dhe unitetin – veçanërisht kur lajmi për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi u prit me skena festimi si dhe pikëllimi.
Lamtumira e Iranit ndaj presidentit dhe shtatë të tjerëve që vdiqën në aksidentin e së dielës, do të shpaloset brenda disa ditësh dhe në qytete anembanë vendit. Zyrtarët iranianë thonë se ka pasur kërkesa nga shumë njerëz në shumë provinca që duan të marrin pjesë në procesionin e varrimit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, do të kryesojë ceremoninë të martën në qytetin veriperëndimor të Tabrizit. Dhe të enjten në mbrëmje, presidenti Raisi do të varroset në vendin e lindjes, në qytetin e shenjtë të Mashhadit në veri-lindje të vendit.
Kjo javë zie do të jetë testi i parë për liderët konservatorë të Iranit që duan të dërgojnë një sinjal të qartë dhe bindës vazhdimësie.