Ronaldinho ka shpjeguar pse ai nuk do ta shikojë asnjë ndeshje të Brazilit në Copa America. Ikona braziliane nuk është kursye aspak kur u pyet nëse ishte optimist për shanset e shtetit të tij në Copa America, e cila do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pesë herë fituesja e Kupës së Botës ka marrë shumë kritika për performancat e saj gjatë javëve të fundit, veçanërisht pas barazimit me rezultat 1-1 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës më herët gjatë kësaj jave, ekip i cili ishte mposhtur 5-1 nga Kolumbia vetëm disa ditë më herët.
Dhe Ronaldinho, i cili udhëhoqi Brazilin në Kupën e Botës, Copa America dhe Kupën e Konfederatave, ka insistuar se ai nuk do t’i përcjell ndeshjet e tyre gjatë kësaj vere.
“Nuk do t’i shikoj asnjë prej këtyre ndeshjeve. Gjithçka po mungon, vendosmëria, gëzimi, stili i lojës. Unë nuk do ta shikoj asnjë ndeshje”.
“Kjo ishte e tëra për mua. Ky është një moment i trishtuar për ata që e duan futbollin brazilian. Është e vështirë të gjesh energjinë për t’i shikuar ndeshjet. Kjo është ndoshta një ndër ekipet më të këqija në vitet e fundit, nuk ka liderë të respektuar, vetëm lojtarë mesatarë”, ka thënë fillimisht Ronaldinho.
“Unë kam përcjellur futboll që kur isha fëmijë, dhe kurrë nuk kam parë një situatë më të keqe se sa tani. Kësaj fanelle i mungon dashuria, i mungon vendosmëria dhe më e rëndësishmja, futbolli”.
“E përsëris, performanca jonë ka qenë një nga gjërat më të këqija që kam parë ndonjëherë. Një turp. Për këtë arsye, unë e deklaroj braktisjen time. Nuk do ta përcjell asnjë ndeshje në Copa America, as nuk do të festoj ndonjë fitore”, përfundoi ai.
Ronaldinho është paraqitur në 97 ndeshje për Brazilin, duke shënuar 33 gola para se të pensionohej nga futbolli në vitin 2018.