Trajneri Sylvinho, pas eliminimit të Shqipërisë nga “Euro 2024”, vlerësoi paraqitjet e Kombëtares ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, në atë që u quajt “Grupi i Ferrit”.
“Sigurisht që dalim me kokën lart. Ishim në grupin e vdekjes, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por jo për paraqitjet. Kemi bërë mirë në të gjitha ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund”, theksoi braziliani i stolit kuqezi.
“Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Pamë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Por, edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tri ndeshjet duke luftuar”, shtoi Sylvinho.
Sa i përket të ardhmes, trajneri i Kombëtares u shpreh: “Kemi Nations League, më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj Federatën, gjithë stafin dhe gjithë njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mira, kemi treguar rritje. Është e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit, por edhe Botërorit”.