Kriminelë me bluza të bardha! Nuk janë as më shumë dhe as më pak mjekët dhe specialistët e spitalit Onkologjik që bënin biznes me jetën e të sëmurëve me kancer, por që kanë përfunduar në pranga pas një hetimi të prokurorisë.
Të sëmurët, që kërkonin shërim apo të paktën një kurë për sëmundjen e tyre, trajtoheshin si klientë nga të cilët mund të nxirreshin para. Në vend të shërbimit apo ilaçeve falas në shtet, të sëmurët me kancer dërgoheshin në klinikën private të të ashtuquajturve mjekë, sipas një mekanizmi që funksiononte sipas logjikës së biznesit; paguaj ose vdis.
Skema është e vjetër dhe aplikohet në disa spitale shtetërore, por ndëshkimi ka ardhur për mjekët e Onkologjikut kësaj radhe.
7 mjekë dhe specialistë janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës, që ka ngritur akuzat për shpërdorim detyre. Nga hetimet ka dalë se në krye të skemës ishte administratori i spitalit. Para se të arrestohen, për mjekët janë kryer “përgjimet telefonike, vëzhgime në terren dhe blerje të simuluara”, ndërkohë që në dosje janë edhe dëshmitë e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Nga vëzhgimet në terren, oficerët e policisë kanë gjetur se në rrjetën e këtyre kriminelëve me bluza të bardha ishin të përfshirë edhe farmacistë, që shisnin ilaçet e kimioterapisë me çmime të shtrenjta, por “pa pullën fiskale dhe me kod të prishur”.
Mungesa e këtyre të dhënave sipas dosjes së prokurorisë çon në dyshime se barnat mund të mos jenë efektive për pacientët që i blinin.
Por një gjetje tjetër që përmendet në dosje dhe që ngre dyshime se skema përfshin zyrtarë më të lartë se mjekët e Onkologjikut është ajo që ka ndodhur me aparaturën e terapisë së kobaltit, që përdoret për trajtimin e pacientëve me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Oficerët e policisë kanë konstatuar se aparatura ishte e vendosur në një mënyrë, që rrezikonte jetën e vetë mjekëve dhe personave që qëndronin pranë saj, pasi duhej izoluar në një bunker.
Bunkeri ka munguar, por ajo që e bën më ulëritëse situatën është se konstatimi në dosjen e prokurorisë se që kur është blerë, aparatura e trajtimit të të sëmurëve me kancer nuk është vënë asnjëherë në punë.
“Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje” thuhet në dosje.
Kuptohet se mosfunksionimi i aparaturës së kobaltit nuk ka ndodhur rastësisht, për mungesë të ndonjë pajisje. Edhe kjo është pjesë e të njëjtës skemë zhvatëse “paguaj ose vdis”, që i drejton pacientëve drejt spitaleve private, ku aparaturat e e ngjashme janë tërësisht funksionale. Por në rastin e aparaturës së kobaltit, kuptohet se skema shkon akoma më lart se disa mjekë apo te administratori i Onkologjikut, të cilët janë vënë në pranga me urdhër të prokurorisë, si më poshtë:
Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”;
Emiljano Lela. (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur” neni 234 i K.Pr.Penale;
Alketa Ymeri (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;
Brikena Qirjazi (ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;
Driona Kishta (Ish specialist pranë QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale;
Halil Gashi për vepren penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur ne policine gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale; dhe
Florian Marku. për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” neni 237 i K.Pr.Penale