Tifozët serbë vazhdojnë që ta tregojnë veten se janë ndër më të këqijtë në këtë kampionat europian të futbollit. Përpara takimit të fundit në grup me Danimarkën, ata kanë thirrur me kore raciste dhe provokuese në drejtim të shqiptarëve.
Të mbledhur në një prej shesheve të Mynihut në Gjermani, tifozët serbë u dëgjuan teksa brohorisnin frazën e zakonshme “Kosova është Serbi”. Në fund të këtij kori provokues, tifozët e mbyllën duke thirrur njëzëri: “Kosova është zemra e Serbisë”.
Por vetë serbët që kanë komentuar në portalet e ndryshme të Beogradit kanë dënuar këto thirrje provokuese. “Fatkeqësisht, njerëzit ju urrejnë ju. Ky është sport dhe jo lufta për Kosovën”, shkruan një komentues serb në portalin Kurir.
Ndërsa një tjetër, po serb, akuzon tifozerinë se nuk kanë asnjë këngë tjetër. Për këto sjellje, por edhe flamujt provokues ku harta e Kosovës shënohet si pjesë e Serbisë, UEFA ka dënuar federatën serbe të futbollit me disa gjoba.
Gjithashtu ka pasur edhe episode dhune në takimin e parë ndaj Anglisë, me huliganët e të dyja ekipeve që janë përleshur.