Nga: Aurela Anastasi
Vëmendja institucionale për parandalimin e vrasjeve të grave (femicidit) kërkon mobilizimin e të gjithë strukturave të shtetit e të shoqërisë civile. Por, para së gjithash, ajo është e lidhur me fuqizimin e institucioneve publike, të cilat drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë objekt parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Një rol të rëndësishëm në këtë kuadër luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile. Ato kanë detyra të rëndësishme për njohjen e situatës dhe analizimin e fenomenit, me qëllim që të ofrojnë gjetje dhe konkluzione për politikat dhe masat e marra. Në këtë shkrim, përpiqemi të tregojmë se si monitorimi i vendimeve gjyqësore dhe analiza e tyre është një mjet i mirë për të evidentuar përgjegjësitë institucionale dhe për të nxjerrë mësime në lidhje me forcimin e punës së tyre.
Institucionet e dijes japin gjithashtu një kontribut të ndjeshëm përmes studimeve në këtë fushë. Prej tyre është përkufizuar kuptimi i femicidit, me qëllim që të adresohet në mënyrë të drejtë dhe efektive. Çështja e terminologjisë ka diskutime, por, do të ishte mirë të dallonim termin femicid nga termi feminicid. Femicidi është kuptuar si vrasja e një gruaje nga një burrë për shkak të gjinisë së saj, motivuar nga urrejtja, përbuzja, ndjenja e pronësisë dhe epërsisë ndaj grave. Për të dalluar nga kjo përgjegjësi, termi feminicid përbën një krim shtetëror që konstatohet në mosparandalimin dhe mosndëshkimin nga autoritetet kompetente të autorëve të vrasjeve të grave për motive gjinore. “Femicidi dhe tentativa për femicid në Shqipëri (2017-2020)”, (Tiranë, 2023). Pavarësisht nga dallimi midis tyre, në të dyja rastet, shteti ka përgjegjësi, edhe pse shkalla e përgjegjësisë është e ndryshme. Prandaj, synimi mbetet tek institucionet dhe fuqizimi i tyre për të parandaluar dhe luftuar femicidin, si dhe për të mos lejuar feminicidin.
Studim i ekspertëve të shoqërisë civile në punimin e sipërpërmendur, ka arritur në përfundime lidhur me situatën e femicidit në Shqipëri dhe rolin e institucioneve. Nga leximi i tij mund të marrim mësime të rëndësishme për të rritur efektivitetin e institucioneve shtetërore në këtë fushë. Në këtë studim analizohen vendime gjyqësore të gjykatave të rretheve gjyqësore që kanë gjykuar çështje të vrasjes së grave. Vendimet e gjykatave flasin shumë, por kalojnë në heshtje dhe nuk bëhen objekt shqyrtimi. Një analizë e tyre nga këndvështrimi i nxjerrjes së mësimeve për institucionet, do të rriste përgjegjshmërinë për kryerjen e detyrave dhe parandalimin e rasteve të ngjashme. Kjo do të ishte një nga mënyrat për të rritur efikasitetin e zbatimit të ligjit dhe parandalimin e ngjarjeve tragjike në këtë fushë. Si rregull, një vendim i formës së prerë i gjykatës nuk mund të rishikohet gjyqësisht, por ai mund të analizohet për këto qëllime.
Le të ilustrojmë sa më sipër, përmes një shembulli nga një rast femicidi që ndodhi në Lezhë në vitin 2016. Nga të dhënat që na jep vendimi gjyqësor konstatojmë se një grua e re kishte gjetur vdekjen në mjediset e punës së saj, e vrarë nga një person që e përndiqte dhe kërkonte të kishte marrëdhënie me të. Të tërheq vëmendjen se viktima kishte bërë më parë kallëzim në polici duke denoncuar dhunën dhe përndjekjen që ushtronte autori. Këtë fakt e pranoi edhe vetë autori përpara gjykatës. Madje, me thëniet e tij ai pretendoi se e vrau gruan pikërisht, për këtë fakt. Megjithatë, Gjykata nuk ka treguar më tej në vendim se çfarë ka ndodhur pas kallëzimit të gruas. Madje, gjatë arsyetimit të vendimit, nuk arrijmë të mësojmë se çfarë ndodhi pas kallëzimit. A reagoi policia për të parandaluar dhunën dhe përndjekjen? Këto fakte, jo vetëm nuk janë analizuar përgjatë arsyetimit të vendimit, por duket se nuk kanë pasur peshë në cilësimin ligjor të veprës dhe dhënien e dënimit. Nga vendimi nuk del e qartë nëse kallëzimi ishte regjistruar nga policia kompetente, por nuk ishte vepruar, apo nëse kallëzimi nuk ishte regjistruar fare. Është e rëndësishme që gjykata t’i adresojë këto në një vendim. Sidoqoftë, pavarësisht nga mungesat në vendimin e gjykatës, ky sinjal i vendimit duhet të ishte analizuar edhe nga institucionet përkatëse të policisë.
Është e rëndësishme që vendimet gjyqësore të studiohen me qëllim që të dalin përgjegjësitë institucionale. Ato janë një bazë e mirë nga ku mund të nxirren përgjegjësitë e mësimet për institucionet kompetente. Prandaj, vetë institucionet që përmenden përgjatë vendimit duhet ta kthejnë në praktikë të punës së tyre analizën e vendimeve gjyqësore. Aty mund të gjenden përgjegjësitë e të përmirësohen praktikat për të ardhmen. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile mund të tërheqin vëmendjen e institucioneve dhe të opinionit publik në lidhje me këto përgjegjësi. Monitorimi i vendimeve gjyqësore prej tyre si dhe prej institucioneve të dijes, është një burim i mirë për të evidentuar problemet në funksionimin e institucioneve. Prandaj është e nevojshme që këto organizata të forcojnë monitorimet e vendimeve gjyqësore si një komponent të punës së tyre.
Përpos sa më sipër, një institucion i dedikuar për këtë çështje do të rriste fuqinë e denoncimit ndaj autoriteteve për rastet e femicidit. Do të ishte me interes një institucion vëzhgues kundër femicidit, i cili mund të krijohej pranë Avokatit të Popullit. Në këtë mënyrë, përmes monitorimit të vendimeve gjyqësore si dhe të praktikave institucionale, Avokati i Popullit bën rekomandime efikase për institucionet.
Një rrugë tjetër mund të ishte krijimi dhe forcimi i mekanizmave të brendshme të institucioneve përgjegjëse. Mekanizma të ngjashëm mund të krijohen edhe brenda institucionit ose ndërinstitucionale, të cilat mund të analizojnë dhe të nxjerrin përgjegjësitë, duke marrë masat e nevojshme. Në këto struktura, krijimi i kushteve për ankimin dhe i kulturës së ankimit të personave ndaj veprimeve ose mosveprimeve të gabuara, do të ishte gjithashtu efikas.
Përpos monitorimit të vendimeve gjyqësore, edhe metoda të tjera studimore mund të na shpien në mjete efikase. P.sh., studimi i sipërpërmendur na tregon se mësime të rëndësishme mund të nxjerrim nga metoda e anketimit. P.sh., studimet për kapacitet e punonjësve në institucionet e drejtësisë dhe institucione të tjera që punojnë kundër dhunës gjinore dhe dhunës në familje, janë shumë të rëndësishme. P.sh., përmes studimit të sipërpërmendur, janë pyetur 63 drejtues dhe menaxherë në institucionet përgjegjëse për drejtësinë, ndihmëse të drejtësisë, si dhe për arsimin dhe ndihmën sociale. Të gjitha këto institucione lidhen me çështje të luftimit dhe parandalimit të dhunës në familje. Nga përgjigjet e tyre se si e kuptojnë ata dhunën ndaj grave, rezulton një përqindje jo e parëndësishme drejtuesish, që nuk kanë koncepte të drejta për të. P.sh., 12% e të anketuarve janë përgjigjur se janë dakord ose janë plotësisht dakord ose të pavendosur me pohimin se “Grave tashmë u janë dhënë më shumë të drejta sesa meritojnë”. Marrë parasysh nivelin zyrtar të këtyre punonjësve, duhet thënë se kjo e dhënë është shqetësuese për kapacitetet institucionale.
Ata u pyetën edhe në lidhje me pengesat dhe sfidat që ndeshin në punë. Në këtë aspekt renditën kryesisht ngarkesën në punë, mungesën e ndërgjegjësimit për rreziqet e dhunës, stereotipat dhe paragjykimet gjinore midis punonjësve, etj. Bën përshtypje fakti se mbi 15% e të anketuarve, mungesën e bashkëpunimit dhe komunikimin e dobët ndërmjet institucioneve, e përmendën njëkohësisht edhe si një pengesë, edhe si një sfidë. Kjo tregon mungesë komunikimi e bashkëpunimi në nivel institucional.
Sa më sipër, konkludojmë se operatorët politikë dhe institucionet duhet të marrin masa të menjëhershme për fuqizimin e institucioneve në parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje . Nënvizojmë se, ka nevojë që institucionet të mos hallakaten vetëm me ndryshime të ligjeve, por të përmirësojnë efektivitetin e zbatimit të tyre. Në këtë aspekt roli i studimeve është shumë i rëndësishëm për të gjetur metodat më efikase për veprimtarinë e institucioneve përgjegjëse dhe për monitorimin e veprimtarisë së tyre. Monitorimi dhe analiza e vendimeve gjyqësore mbetet një mjet shumë efikas. Përmes tyre arrijmë të rrisim kapacitetet jo vetëm për organet e drejtësisë, por edhe për institucionet e tjera që lidhen me këtë veprimtari.