Uniteti Europian, mbrojtja dhe migracioni illegal ishin temat që u proklamuan më fort nga Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Staremer në konferencën përmbyllëse të takimit të Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Pallatin Blenheim, vendlindjen e liderit të shquar konservator Winston Churchill. Edhe pse tema për Ukrainën pritej të kishte vëmendjen qendrore, pak u fol në të, por vetëm u konfirmuan qëndrimet e deritanishme.
“Samiti ka marrë një angazhim për të goditur të ashtuquajturën “flotë hije” të cisternave të naftës të Rusisë të përdorura për të thyer sanksionet. Asnjë vendim i ri nuk është marrë që nga qeveria e fundit, por mbështetja për Ukrainën është po aq e fortë sa ishte dhe u bë më e fortë nga samiti i sotëm dhe angazhimi i NATO-s javën e kaluar”, tha Keir Staremer.
Në mbyllje të fjalës së tij, Staremer theksoi se samiti i Komunitetit Politik Europian në vitin 2025, do të zhvillohet në Shqipëri.
“Jam krenar që largohem nga ky samit me marrëdhënie më të forta në të gjithë Evropën dhe e lë Komunitetin Politik Europian në një pozicion më të forte, me një axhendë të qartë për muajt në vijim, dhe samitin e ardhshëm të konfirmuar në Hungari këtë vit dhe Shqipërinë dhe Danimarkën në 2025″, tha ai.
Për Presidentin e Francës, uniteti dhe bashkëpunimi me Anglinë nuk do të jetë i lehtë, por është thelbësorë. Macron përmendi përmirësimin e situatës në çështjet e migrimit, energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë. Më i ashpër me Rusinë ishte Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Europa qëndron më e bashkuar kundër imperializmit rus dhe mbështesim fort Ukrainën”, theksoi kancelari gjerman. Takimi i Komunitetit Politik Europian është një hapësirë mundësie që liderët të takohen mes tyre si dhe për të arritur akorde. Një e tillë është marrëveshja për mbrojtjen midis Ukrainës dhe Republikës Çeke.