Fredi Beleri ka zbatuar me rigorozitet lejen 5 ditore të lëshuar nga komisioni i lejeve në Drejtorinë e Burgjeve.
Ai është rikthyer në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit mëngjesin e kësaj të shtune, tashmë me tagrin e eurodeputetit, pasi u betua në seancën e 16 korrikut në Parlamentin Europian.
I pyetur nëse do të ketë një ndalesë në Himarë pas betimit në Strasburg, edhe pse afati kohor ia lejon pasi leja përfundon në orën 16:00, Beleri është përgjigjur me “JO”.
“Nuk më vjen fare keq që do të shkoj në qeli, unë e respektoj drejtësinë edhe pse drejtësia nuk respekton veten e vet”, tha Beleri për mediat.
Beleri pati edhe një koment për zgjedhjet e 4 gushtit në bashkinë e Himarës, duke vlerësuar kandidatin Petro Gjikuaria, që opozita ka përzgjedhur për të vendosur si rival përballë Vangjel Tavos të PS.
“Sigurisht që mund t’i fitojë! Opozita ka zgjedhur një kandidat besoj edhe më të përshtatshëm se sa unë. Qytetarët e Himarës duhet të mbarojnë atë që filluan më 14 maj 2023. Jam i bindur për fitoren”, deklaroi Beleri.
Tashmë eurodeputeti i “Demokracisë së Re” do të rikthehet në burgun e Fierit, ku do t’i duhet të kalojë edhe rreth 2.5 muaj burg të mbetura nga masa e dënimit me 2 vite heqje lire që Gjykata e Apelit vendosi për të.
Fredi Beleri përfitoi lejen për t’u betuar në Strasburg pasi dënimi për të ka marrë formë të prerë dhe ai ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar dhe në këtë mënyrë për të nuk kishte asnjë pengesë ligjore.
Sakaq, Beleri ka bërë edhe lëvizjen e radhës për të fituar lirinë pasi avokati i tij i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit duke kërkuar lirim me kusht gjatë kohës që ndodhej në Stasburg.
Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Ky i fundit nuk është paraqitur në gjyq edhe pse ka pasur dijeni për orën dhe datën e gjyqit.