Aleanca e Atlantikut të Veriut konfirmoi emërimin e diplomatit spanjoll Javier Colomina si i dërguari i ri i aleancës ushtarake i ngarkuar me koordinimin e veprimeve në krahun e saj jugor. Një veprim ky që ka shkaktuar zemërim të madhe në politikën italiane.
“Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe rajonet e Sahelit janë të rëndësishme për Aleancën tonë”, tha Stoltenberg në një deklaratë për emërimin e Colominës si Përfaqësues Special për Fqinjësinë Jugore.
“Havier Colomina ka përvojë të gjerë në marrëdhëniet me partnerët e NATO-s. Emërimi i tij do të forcojë më tej punën e rëndësishme të NATO-s në jug”, përfundoi Stoltenberg.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se ka tradhtuar Romën duke mos emëruar një italian në postin e krijuar këtë muaj me kërkesë të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Qeveria italiane tha në atë kohë se një italiani duhet të merrte këtë pozicion. Crosetto në një intervistë për median italiane La Stampa tha se Stoltenberg kishte emëruar një spanjoll dhe se ai e konsideroi vendimin “një fyerje personale”.
Colomina është Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë dhe ka shërbyer si Përfaqësues Special për Kaukazin dhe Azinë Qendrore.