Rebecca Long Bailey ka njoftuar se do të garojë për postin e kryetares së Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe. Ajo është e njohur për mbrojtjen e madhe që ia ka ofruar programit politik të kryetarit në largim, Jeremy Corbyn.
E vlerësuar gjerësisht si kandidate favorite e majtistëve të partisë, deputetja e dha njoftimin për pjesëmarrje në garë të hënën në mbrëmje. Në këtë njoftim, ajo e kritikoi strategjinë e partisë në zgjedhjet e fundit. Bailey gjithashtu premtoi se do ta mbrojë programin e tanishëm socialist të partisë me, siç tha ajo, vendosmëri të palëkundur.
“Unë jo vetëm që pajtohem me politikat e partisë, por i kam kaluar katër vjet duke i shkruar ato. Marrëveshja e gjelbër dhe planet tona për demokratizimin radikal të ekonomisë janë themelet e një transformimi ekonomik që do ta luftojë krizën klimatike dhe që do t’ua kthejnë pasurinë dhe pushtetin njerëzve të thjeshtë”, shkroi laburistja Bailey.
Ajo është kandidatja e gjashtë që publikisht ka njoftuar për pjesëmarrje në garën për kreun e partisë kryesore opozitare të Mbretërisë së Bashkuara. Ditën kur Corbyn tha se do të japë dorëheqje pas humbjes në zgjedhje, Bailey menjëherë u vlerësua si njëra prej favoriteve për ta marrë postin më të lartë.
Megjithatë, sipas një ankete fillestare me anëtarët e partisë majtiste, favoriti më i madh për t’u zgjedhur kryetar i Partisë Laburiste tash për tash është ministri në hije për Brexit-it, Keir Starmer, shkruan “The Guardian”.