Mediat amerikane kanë zbardhur detaje në lidhje me personin që qëlloi me armë zjarri pranë fushës së golfit në Mar-a-Lago, ku ndodhej ish-presidenti dhe kandidati i republikanëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Donald Trump.
Personi i arrestuar tashmë nga policia për atentatin është 58-vjeçari Ryan Routh.
Routh ndoqi Universitetin Shtetëror Bujqësor dhe Teknik të Karolinës së Veriut dhe u zhvendos në Hawaii në vitin 2018. Në rrjetet e tij sociale, burri ka publikuar përmbajtje të ndryshme për luftën në Ukrainë, duke tentuar gjithashtu për të rekrutuar ushtarë për kauzën e Kievit.
Më 10 gusht 2023, Routh njoftoi se donte të dërgonte mijëra ushtarë afganë të trajnuar nga NATO në Tajvan dhe të formonte një legjion luftëtarësh vullnetarë “për të mbrojtur brigjet” e ishullit nga kërcënimi kinez.
Kandidati për president nuk pati probleme gjatë kësaj ngjarje, por FBI deklaroi se ka nisur hetimet për atë që duket të jetë një tjetër atentat ndaj Trump-it, shkruan A2.
Teksa Trump po luante golf me një donator të fushatës së tij, agjentët panë tytën e një pushke që fshihej pas shkurreve, raporton CNN, dhe qëlluan në drejtim të atentatorit disa herë.
Më pas ai u largua, por u ndalua nga policia lokale teksa udhëtonte me makinën e tij.
Pak javë më parë, Trump i mbijetoi një tjetër atentati, teksa po mbante një fjalim në Pensilvani. Ai mbeti i plagosur në vesh, ndërsa atentatori u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret.