“Ne vazhdojmë t’i japim miliarda dollarë dikujt që refuzon të bëjë një marrëveshje.” Ky ka qenë sulmi më i fundit që Donald Trump i ka bërë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një tubimi elektoral në Karolinën e Veriut. Trump, i cili kërkon të rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë më 5 nëntor shprehet se Zelensky “sa herë që vjen në SHBA, largohet me 60 miliardë dollarë”.
“Jam i sigurt se ai është biznesmeni më i mirë në planet”, u shpreh më tej me sarkazëm Trump.
Në vijim Trump u ndal te procesi i rindërtimit të Ukrainës duke deklaruar se kjo nuk do të arrihet edhe sikur të gjitha milionat e botës të bëhen bashkë.
“Kaq shumë të vdekur… çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të ishte më e mirë se ajo që keni tani. Kemi një vend që është fshirë nga harta, ai nuk mund të rindërtohet. Do të duhen qindra vjet për t’u rindërtuar. Nuk do të kishte para të mjaftueshme edhe nëse i gjithë planeti do të mblidhej së bashku”, shpjegoi Trump.
Manjati amerikan fajësoi po ashtu presidentin demokrat në largim Joe Biden dhe zv/presidenten, njëherësh rivalen e tij në garë, Kamala Harris, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duke thënë se ai do t’i jepte fund luftës nëse zgjidhej më 5 nëntor.
“Ata nuk do të jenë të kënaqur derisa të dërgojnë fëmijë nga Amerika për të luftuar në Ukrainë. Ne nuk do të dërgojmë ushtarët tanë të vriten në anën tjetër të oqeanit”, premtoi ai.
Sulmet e Trump erdhën pak orë para takimit të radhës midis Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti ukrainas pritet të paraqesë sot në takim një “plan fitoreje” të shumëpërfolur kundër Rusisë.