Sekretari amerikan i shtetit, Mike
Pompeo, është takuar sot në Bruksel me shefen për politikë të jashtme të
Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Takimi vie vetëm një ditë pasi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i akuzoi aleatët evropianë për përpjekje për t’i dobësuar sanksionet amerikane kundër Iranit.
Takimi mes Pompeot dhe Mogherinit ishte caktuar para akuzave të zëvendëspresidentit amerikan, të cilat i lëshoi gjatë një konference për Lindjen e Mesme, të mbajtur në Varshavë të Polonisë.
Mogherini, e cila kishte dhënë kontribut në arritjen e marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore në vitin 2005, u përshëndet me Pompeon para një grumbulli të madh të kamerave në Bruksel dhe më pas hynë në dhomën e konferencave për ta zhvilluar një takim, i cili është planifikuar të zgjasë rreth një orë.
Mogherini refuzoi të përgjigjet në pyetjen e një gazetari për atë se çfarë mendon ajo për fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan në Varshavë, gjatë të cilit ai e akuzoi Bashkimin Evropian për përpjekje për ta thyer ndikimin e sanksioneve ekonomike të SHBA-së kundër Iranit.