Nga Andi Bushati
Gjykata e Apelit të Tiranës ka forcuar bindjen e të gjithë atyre që besojnë se drejtësia e re është e vetmja kënetë që vijon të jetojë në një kohë, që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare e ka hedhur pas krahëve: atë të dënimeve politike.
Ajo ka dhënë verdiktin me 1 vit burg për deputetin e opozitës, Ervin Salianji. Për kë nuk e mban mend ngjarjen, akuza ndaj tij është se publikoi një përgjim ku implikohej vëllai i ish-ministrit të brendshëm Xhafa, Agroni, se jo vetëm i fshihej një dënimi të mëparshëm në Itali, por edhe vazhdonte trafikun nën mbrojtjen e pushtetit.
Ngjarja që bëri bujë publikisht përmes nofkës së njërit prej protagonistëve të saj, “BABALE”-s, e tronditi imazhin e pushtetit që ende se kishte marrë veten nga skandali i Saimir Tahirit. Agron Xhafaj u detyrua që brenda natës të udhëtonte për t’u dorëzuar në Romë, madje pa iu nënshtruar as provave të zërit, ndërsa Rama dhe ministri i tij i brendëshëm deklaruan, disa herë me radhë, se një agjensi e shquar inteligjence ka provuar se i ashtuquajturi përgjim është një manipulim.
Pra qeveria e mbështeti linjën e saj të mbrojtjes në pretendimin se përgjimi ishte një truk, i luajtur me aktorë, ndërsa, me stilin e vet humoristik, Rama e përqeshte Bashën se e pati kthyer selinë e PD-së në Kinostudio. Prova më e madhe për këtë ‘teatër” do të vinte nga ekspertiza ndërkombëtare…vunë bast ata.
Dhe pikërisht ky qe dështimi i tyre spektakolar. Kur prokuroria shqiptare i kërkoi një mendim, laboratori i specializuar i policisë italiane refuzoi të konfirmonte alibinë e Ramës dhe Xhafajt. Po kështu u soll edhe një nga institucionet më kredibël në kontinent, laboratori privat britanik, “JP French Associates”. Pra askush nuk qe në gjendje ndërkombëtarisht të çertifikonte pretendimet e kupolës qeveritare.
Atyre u mbetej që alibinë e tyre ta prodhonin me metoda alla shqiptarçe. Njësoj si në rastin e Fredi Belerit, policia i thirri në ndihmë një kontigjenti të saj, të cilin e paguan për të dhënë dëshmi. Ai, Fredi Alizoti pretendoi se kishte qenë aktori i këtij skeçi. Provat se ai luajti rolin e një dëshmitari të manipuluar, duke pranuar pak burg në këmbim të parave janë të shumta.
Në plot 9 përgjime të bëra publike rezultoi se ish drejtori i Policisë së Fierit, Berti Nushi dhe nëndrejtori Andon Marko, u angzhuan me mish e me shpirt për të manipuluar këtë “dëshmitar vullnetar”. Këto përgjime tregojnë se ata e mbikqyrën dëshmitarin e rremë Alizoti, i thanë atij se do paraqitet dikush ti japë paratë, se do ti vijë një njeri “ta qerasi me birrë” dhe se u ndanë, në fund, me “pezmin” se ai për paratë që ka marë do të duhet të bëjë pak burg.
Mbi bazë të këtij pijetari palaço, të cilin e fabrikoi policia, kanë prodhuar vendime dy gjykata të këtij vendi, ajo e shkallës së parë dhe tani kjo e apelit. E në këtë prizëm, kjo fabul shërben edhe një herë më shumë për të bindur idiotët e dobishëm “pro atlantikë”, që vijojnë të çirren se besojnë tek drejtësia e re, se ajo është shndërruar tashmë në një sopatë, që regjimi po e përdor për të masakruar opozitën. Salianji, Beleri, procesi kundër Berishës dhe ato që pritet të vijojnë janë të gjitha në të njëjtën linjë.
Motoja e tyre është: kur nuk ka prova ato i fabrikon qeveria dhe i noterizojnë gjykatat. Dosja “BABALE” ndryshon vetëm në një pikë, se Rama dhe Xhafa vunë bast që alibitë për manipulimin e përgjimit do ti çertifikonin ndërkombëtarëisht, ndonëse përfunduan sërish duke përdorur gjyqtarët e tyre kamikazë. /Lapsi.al