Policia shqiptare e ka njoftuar Partinë Demokratike se nuk do të lejojë që protesta të zhvillohet edhe te “Piramida” dhe rrugën “Ismail Qemali”, në dy rrugicat që rrethojnë Kryeministrinë.
Në një letër drejtuar selisë blu, demokratëve u kërkohet që protesta të zhvillohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin përpara Kryeministrisë, pasi në dy anët e godinës qëndrojnë forcat e policisë për të garantuar sigurinë.
Por, Partia Demokratike ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.
PD, me anë të një deklarate të saj shprehet se “nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve”.
Qëndrimi i PD-së, thuhet në deklaratë, i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara prej saj.
“Partia Demokratike i kujtojn policisë ligjin, i cili parashikon të njoftojë dhe jo kërkesën për leje”.
Sipas PD-së, Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politikë të Edi Ramës, që i frikësohet bashkimit popullor. Por, PD-ja garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë.