LeBron James realizoi ëndrrën e tij: të luante në të njëjtin ekip me djalin e tij Bronny.
39-vjeçari dhe 20-vjeçari luajtën së bashku për Los Angeles Lakers në ndeshjen parasezonale ndaj Phoenix Suns. Edhe pse jo ndeshje zyrtare, pamjet e babë e bir në të njëjtin parket, me të njëjtën fanellë, kanë bërë xhiron e botës.
“Ka qenë diçka sureale. Më duhet ende ta kuptoj atë që ka ndodhur”, tha LeBron James në fund të ndeshjes.
Në këtë ndeshje të dytë parasezonale për Lakers, LeBron James luajti, ndërsa djali i tij i ka luajtur të dyja ndeshjet miqësore.
LeBron shënoi 19 pikë, ndërsa i biri asnjë gjatë 13 minutave në parket. Por, ajo që ngeli në histori ishte se më në fund u pa në basketbollin amerikan imazhi që kurrë nuk ishte parë: babë e bir duke luajtur me të njëjtin ekip.