Show - Biz
Artan Hoxha flet për Zërin e Amerikës: Kurrë nuk e kam përdorur profesionin në favor të krimit
Në Shqipëri, SPAK-u dha sot detaje mbi operacionin e një dite më parë ndaj organizatës kriminale, që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim.
SPAK-u bën të ditur se organizata trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt BE-së, kishte lidhje me gjyqtarë, policë dhe gazetarë.
Mes të dyshuarve janë edhe gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet të kenë marrë para nga Çela për qëndrimet e mbajtura në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.
Por gazetari Hoxha, i pyetur nga Zëri i Amerikës, mohoi kategorikisht akuzën, ndërsa thotë në reagimin e tij se kurrë nuk e ka përdorur profesionin në favor të krimit, politikës dhe biznesit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar detajoi sot në njoftimin publik se grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqëndruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës, ishte sipas SPAK-ut “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve europiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.
Përveç anëtarëve të organizatës, urdhërat e arrestit kanë përfshirë dhe ish komisarin Dedan Gjoni, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale si dhe ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën arrest shtëpie për një episod tjetër. Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”. Organizata, shfrytëzonte lidhjet me njerëz në polici dhe drejtësi, jo vetëm për të lehtësuar aktivitetin e saj, por dhe për të goditur rivalët e vet.
Hetimi solli lëshimin e 19 urdhërave të arrestit dhe masave “detyrim paraqitje” për dy gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët sipas Prokurorisë dyshohet të kenë marrë para nga Çela, për qëndrime që ata kanë mbajtur në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.
Dy gazetarët e njohur të kronikës Hoxha dhe Qyno dyshohet se ndihmonin organizatën për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale.
Por gazetari Artan Hoxha, i kontaktuar nga Zëri i Amerikës, mohoi akuzën kategorikisht në reagimin e tij, ku thekson se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ndonjë organizate kriminele, dhe se nuk e ka përdorur kurrë profesionin në favor të interesave të krimit, politikës apo biznesit.
“Do të provojmë në gjykatë se akuzat ndaj nesh janë të padrejta dhe se shërbimi që i kemi bërë publikut ka qenë tërësisht profesional, korrekt, i paanshëm, duke i qëndruar gjithmonë publikimit të së vërtetës”, tha zoti Hoxha.
Ai shtoi se në rastin konkret, përkundrazi ka denoncuar veprimtarinë e këtyre organizatave kriminale, lidhjet e tyre me agjencitë e zbatimit të ligjit si dhe bashkëpunimin me njerëz të pushtetit.
SPAK-u theksoi se “Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.
Prokuroria tha se “dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.
Por zoti Hoxha theksoi se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.
“Veprimi i SPAK-ut është shoqëruar nga një lumë akuzash dhe të pavertetash të publikuara në media nga eksponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët kam publikuar akte korruptive në të kaluarën. Duket e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, që SPAK-u vendos të veprojë ndaj dy gazetarëve kryesorë, të cilët kanë denoncuar informacione të siguruara nga rrjeti i kriptuar SkyeCC, të cilat tregojnë implikimin e krimit të organizuar me njerëz të politikës dhe zbatimit të ligjit. Kontrolli i paligjshëm i kryer në banesat tona, duke na sekuestruar mjetet dhe arkivën e punës si gazetarë, u shoqërua me akuzat që na kanë adresuar në mënyrë të padrejtë”, tha zoti Hoxha.
Ai theksoi se në karrierën 30-vjeçare si gazetar investigativ, jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me krimin e organizuar aq më pak të ketë kuruar imazhin e tij, por ka rrezikuar jetën e vet dhe të familjes, duke denoncuar aktivitetin e krimit të organizuar, bosët më të rëndësishëm të tij, lidhjet e tyre me pushtetin dhe politikën në dëm të shoqërisë shqiptare dhe të vendit.
Dje u kontrollua imtësisht banesa e gazetarit Hoxha dhe iu sekuestrua të gjithë mjetet e punës dhe arkiva elektronike, si dhe dokumentare, ndërsa në orët e pasdites u thirr në SPAK dhe iu komunikua se kontrolli ka qenë i paligjshem, duke ia kthyer të gjitha sendet e sekuestruara.
Personat e përfshirë deri më tani në këtë hetim të SPAK-ut dyshohen për të paktën 9 vepra të ndryshme penale, nga vrasje në tentativë, trafik lëndësh narkotike, organizatë kriminale, korrupsion apo pastrim parash./ VOA
Popular
A e dinit që aromat ndikojnë në energjinë tuaj? Ja cilat parfume duhet të përdorni për çdo rast…
Aroma që mban mund të ndryshojë mënyrën si ndihesh, si ecën dhe si të perceptojnë të tjerët.
Një parfum i zgjedhur mirë nuk është thjesht një detaj, por pjesë e stilit tënd të përditshëm, të jep vetëbesim, të përmirëson humorin dhe të qetëson edhe në ditët më të ngarkuara.
Për shumë njerëz, parfumi është një nënshkrim i padukshëm, një mënyrë për të lënë gjurmë pa thënë asnjë fjalë.
Aromat e ngrohta dhe intensive lidhen me forcë dhe vendosmëri, ndërsa ato me nota lulesh apo agrumesh sjellin freski dhe energji pozitive.
Ajo që e bën një aromë vërtet të veçantë është se si bashkohet me personalitetin tënd dhe ritmin e ditës.
Parfumi nuk është vetëm erë e këndshme, por pjesë e identitetit: si prezantohesh, si dëshiron të ndihesh dhe si do të të kujtojnë.
Çdo aromë ka historinë e vet dhe mund të bëhet pjesë e përditshmërisë tënde, sepse parfumi që zgjedh është emocioni që mban me vete gjatë gjithë ditës.
Si ndikon parfumi në humor dhe vetëbesim?
Trupi reagon shpejt ndaj aromave. Një erë e dashur mund të të qetësojë, të të rikthejë një kujtim të bukur ose të të japë më shumë siguri.
Për vetëbesim: aroma me nota druri, qelibar, piper, temjan krijojnë ndjesi force dhe qëndrueshmërie – perfekte për takime pune, prezantime dhe evente formale.
Për energji: agrumet (limon, portokall, bergamot) dhe notat e freskëta japin ndjesinë e fillimit të ri, ideale për mëngjes dhe ditë të lodhshme.
Për qetësi: vanilja, tonka, nota kremoze e të buta japin ndjesi ngrohtësie dhe afërsie, të përshtatshme për mbrëmje ose momente intime.
Si ta zgjedhësh parfumin sipas stilit tënd?
Sipas personalitetit:
Energjik/e dhe spontan/e: aroma me agrume, fruta, nuanca të freskëta deti ose jeshile janë të lehta por shumë dinamike.
I/e qetë dhe e rezervuar: lule të buta (jasemin, trëndafil i lehtë, livando) dhe kombinime me vanilje e nota druri për një profil elegant dhe të butë.
Ekstravert/e dhe i/e guximshme: parfume orientale, të erëzuara, me piper, kanellë janë aroma që nuk kalojnë pa u vënë re.
Është praktike të kesh të paktën 2–3 parfume:
Për përditshmëri: të freskëta, të pastra, jo shumë të rënda.
Për mbrëmje/evente: më të thella, më intensive, me projeksion më të fortë.
Për momente personale: aroma të buta, sensuale, që lidhen me një kujtim ose person.
Pranverë / verë: agrume, lule të lehta, aroma ujore dhe të freskëta.
Vjeshtë / dimër: nota druri, vanilje, qelibar dhe erëza, që qëndrojnë më mirë në temperatura të ulëta.
Llojet kryesore të parfumeve:
Dallimi midis llojeve lidhet me përqendrimin e vajrave aromatikë:
Parfum: më i përqendruar dhe më intensiv, mjaftojnë pak pika dhe zgjat gjatë gjithë ditës.
Eau de parfum (EDP): balancë mes intensitetit dhe përdorimit të përditshëm, zgjat mirë pa qenë shumë i rëndë.
Eau de toilette (EDT): më i lehtë dhe i freskët, ideal për ditë dhe për ata që nuk duan aromë shumë të fortë.
Body mist / spray trupi: shumë i lehtë, për rifreskim disa herë gjatë ditës.
T’i njohësh këto dallime të ndihmon të zgjedhësh aromën që i përshtatet ritmit tënd: nëse do diçka që mban gjatë gjithë ditës apo një aromë të lehtë që mund ta rinovosh sa herë të duash.
Popular
Si ta forconi imunitetin e fëmijës suaj në mënyrë natyrale gjatë muajve të dimrit
Gjatë muajve të dimrit, fëmijët janë më shpesh të ekspozuar ndaj ftohjeve dhe viruseve, veçanërisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël, imuniteti i të cilëve nuk është zhvilluar ende plotësisht.
Ushqyerja e duhur, kujdesi dhe zakonet e përditshme mund të kontribuojnë ndjeshëm në forcimin e sistemit imunitar.
Në muajt e parë të jetës, foshnja merr mbrojtje natyrale nga nëna, veçanërisht nëpërmjet ushqyerjes me gji. Qumështi i gjirit përshtatet me nevojat e foshnjës dhe e ndihmon atë të luftojë infeksionet. Nëse ushqyerja me gji nuk është e mundur, formulat për foshnje përmbajnë gjithashtu lëndë ushqyese të rëndësishme që kontribuojnë në zhvillimin e imunitetit.
Rreth moshës gjashtë muajsh, futen ushqimet plotësuese dhe është e rëndësishme që dieta të jetë e larmishme dhe e pasur me fruta, perime, drithëra dhe mish.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet marrjes së mjaftueshme të lëngjeve, si dhe ushqimeve që përmbajnë hekur dhe zink.
Përveç ushqyerjes, është e rëndësishme ta vishni fëmijën tuaj siç duhet gjatë ditëve të ftohta, ta ajrosni dhomën rregullisht dhe të kaloni kohë në ajër të pastër çdo ditë. Këto zakone të thjeshta mund të ndihmojnë në mbajtjen e fëmijës suaj të shëndetshëm gjatë dimrit.
Nëse një foshnjë ose fëmijë shfaq simptoma të tilla si kollë, rrjedhje hundësh ose temperaturë të lartë, është e rëndësishme të reagoni në kohë dhe të kërkoni ndihmë mjekësore, sepse tek më të vegjlit, edhe infeksionet e lehta mund të ndërlikohen më shpejt.
Kina
BYD i Kinës tejkalon Teslën si shitësi më i madh i automjeteve elektrike në botë
BYD e Kinës ka tejkaluar Teslën e Elon Musk si shitësi më i madh në botë i automjeteve elektrike (EV), duke shënuar herën e parë që ka tejkaluar rivalin e saj amerikan në shitjet vjetore.
Shitjet e makinave Tesla ranë me gati 9% në vitin 2025 në 1.64 milion automjete të shitura në të gjithë botën, tha prodhuesi i makinave të premten – viti i dytë radhazi i rënies së dërgesave të makinave.
Këto shifra e renditën Teslën pas BYD, e cila tha të enjten se shitjet e makinave të saj me bateri u rritën vitin e kaluar me pothuajse 28% në më shumë se 2.25 milionë.
Firma amerikane është përballur me një vit të vështirë me një pritje të përziera ndaj ofertave të reja , shqetësim për aktivitetet politike të Musk dhe konkurrencë në rritje nga rivalët kinezë.
Shitjet e makinave të Teslës ranë me 16% gjatë tre muajve të fundit të vitit 2025. Rënia ishte pjesërisht për shkak të shfuqizimit të një subvencioni qeveritar që kishte ndihmuar në uljen e çmimit prej deri në 7,500 dollarësh (5,570 £) të disa automjeteve elektrike me bateri, hibride plug-in ose me qeliza karburanti.
Analistët e Wall Street-it kanë ulur kohët e fundit vlerësimet e tyre të shitjeve të Teslës për vitin 2026, duke sinjalizuar një perspektivë gjithnjë e më të zymtë.
Firmat kineze si Geely, MG dhe BYD – tani kompania më e madhe e makinave elektrike në vend – kanë ushtruar presion mbi rivalët perëndimorë duke i vendosur çmimet e automjeteve të tyre nën çmimet e markave të njohura.
Në tetor, Tesla u përgjigj duke lançuar versione me çmime më të ulëta të dy modeleve të saj më të shitura në SHBA, në një përpjekje për të rritur shitjet.
Musk, i cili është tashmë njeriu më i pasur në botë , është ngarkuar me detyrën e rritjes së ndjeshme të shitjeve dhe vlerës së tregut të aksioneve të Teslës gjatë dekadës së ardhshme për të siguruar një paketë rekord page. Marrëveshja, e cila u miratua nga aksionarët në nëntor, mund ta shihte atë duke marrë një pagesë prej deri në 1 trilion dollarë (740 miliardë paund) .
Si pjesë e marrëveshjes, Musk duhet të shesë gjithashtu një milion robotë humanoide gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Tesla ka investuar shumë në produktin e saj “Optimus” dhe në “Robotaxi”-n autonome.
Analistët thonë se lançimi i robotaksive dhe automjeteve autonome të Teslës në vitin 2026, i cili ka ndihmuar në rritjen rekord të çmimit të aksioneve të saj, do të jetë vendimtar për performancën e saj të përgjithshme.
Edhe pse ka pikëpyetje të mëdha rreth ambicieve të Teslës për automjetet pa shofer, disa mbeten optimistë. Dan Ives nga Wedbush Securities thotë se Tesla do të zotërojë rreth 70% të tregut të automjeteve pa shofer gjatë dekadës së ardhshme, “pasi asnjë kompani tjetër në botë nuk mund të krahasohet me shkallën dhe fushëveprimin” e firmës.
Përveç Teslës, interesat biznesore të Musk përfshijnë edhe platformën e mediave sociale X, firmën e raketave SpaceX dhe Boring Company, e cila gërmon tunele.
Këto angazhime, së bashku me drejtimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (Doge) të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i shtynë disa investitorë të sugjeronin se Musk nuk po përqendrohej mjaftueshëm te Tesla. Shitjet e Teslës ranë në fillim të vitit të kaluar.
Që atëherë, Musk është tërhequr nga roli i tij në qeverinë amerikane.
Pavarësisht rritjes së BYD në vitet e fundit, rritja e shitjeve të saj u ngadalësua në vitin 2025 në ritmin më të dobët në pesë vjet, pjesërisht për shkak të konkurrencës së ashpër në Kinë, tregu i saj kryesor.
Dhe pavarësisht se BYD e tejkaloi Teslën kur bëhet fjalë për shitjet e makinave, firma amerikane ka mbetur më fitimprurëse në tremujorët e fundit.
Megjithatë, BYD mbetet një fuqi globale e automjeteve elektrike, pasi çmimet e saj shpesh janë më të ulëta se ato të prodhuesve rivalë të makinave.
Zgjerimi i shpejtë i kompanisë me seli në Shenzhen – veçanërisht në Amerikën Latine, Azinë Juglindore dhe pjesë të Evropës – vjen pavarësisht se shumë vende vendosin tarifa të larta për automjetet elektrike kineze.
Në tetor, BYD tha se Mbretëria e Bashkuar ishte bërë tregu i saj më i madh jashtë Kinës . Firma tha se shitjet e saj në Britani u rritën me 880% gjatë vitit deri në fund të shtatorit, të nxitura nga kërkesa e fortë për versionin hibrid plug-in të automjetit të saj sportiv (SUV) Seal U.
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
