Stacioni i Policisë së Kosovës në Zveçan është sulmuar me dy granata që dyshohet të jenë M-75 prodhim jugosllav, dhe përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur të martën rreth mesnatës, ndërsa deri tani nuk ka të arrestuar dhe nuk dihet motivi i këtij incidenti.
Për këtë incident ka dhënë detaje edhe policia.
“Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej thuhet se në lidhje me këtë rast në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, të cilat kanë këqyrur vendin e ngjarjes.
Gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
“Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi. Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në komunikatë.