Personazhi ikonë i filmit “Scarface” (Njeriu me shenjë), Toni Montana, i luajtur mjeshtërisht nga aktori Al Pacino, në kulmin e mbretërimit të tij në Majami si drejtuesi i rrjetit të kokainës, nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e një vile që ngjante më shumë si pallat mbretëror.
Në hollin e saj, mbi një shatërvan ndriçonte nenoni i kuq me mbishkrimin, “The World Is Yours” (Bota është e jotja). Ndërsa vizitorët në hyrje stepeshin nga një tigër që sodiste kopshtin e gjelbër.
Këto skena hollivudiane të vitit 1983 vijojnë të frymëzojnë krimin e organizuar, aq sa “mbreti i lojërave të fatit në Shqipëri”, Ervis Martinaj, dyshohet se ndërtoi një pallat të ngjashëm, që e pagëzoi si “Arbëria Palace” dhe nën neonin e ndritshëm, “The World Is Yours”, vendosi të pozonte luanin e tij që sapo kishte nisur të ecte.
I pagëzuar si “King Simba” dhe me prapashtesën “007”, që dukej se përfaqësonte Martinajn, ai u shfaq për herë të parë në TikTok më 21 dhjetor 2021. Audienca e këlyshit që mendohet se mbërriti aty 3 muajsh, u rrit javë pas jave, duke u shfaqur nga ditët e para me biberonin me qumësht, deri tek pozat në ambientet luksoze të Hotelit “Arbëria Palace”, në Fushë-Milot.
“Simba tani është mjaft i madh, rreth 1 metër i lartë”, tregoi i buzëqeshur një prej kamarierëve në barin e hotelit. Llogaria e tij ka reshtur së postuari që kur vetë Martinaj humbi gjurmët në rrethana ende të pazbardhura, duke lënë pas skenare të ngjashme me fundin e personazhit që dëshironte t’i ngjante, Toni Montana.
Luani tashmë është i rritur dhe i papërshtatshëm për klientët e hotelit, që dikur ishin kureshtarë për ta parë. Drejtuesit e Arbëria Palace nuk pranuan të komentonin për vendndodhjen e tij, por duket se Martinaj e ktheu në një simbol pushteti mbajtjen e një luani – për bosët krimit të organizuar, ku u përfshi edhe vetë në nivelet më të larta.
rhynë për të konfiskuar dhe për të dërguar më pas jashtë vendit 3 luanë që mbaheshin në kushte skandaloze në parkun privat, “Safari Park Zoo” në Fier, bosët e krimit dhe fëmijët e milionerëve e përmbysën situatën, duke importuar ilegalisht dhjetëra këlyshë.
“Në qoftë se më parë këto kafshë raportoheshin të mbajtura në kafaz në ndojnë biznes, lokal apo hotel, janë shtuar rastet që mbahen dhe nga individë si kafshë shoqërimi. Shitja e tyre bëhet hapur ‘online’ dhe në dyqane, pa asnjë kontroll”, komentoi situatën përmes një qëndrimi zyrtar, Organizata “Animal Rescue Albania” (Shpëtimi i Kafshëve në Shqipëri).
Përmes një investigimi rajonal mbi 6 mujor, Amfora zbuloi se këlyshë luanësh po shfaqen vitet e fundit në vende si Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – duke ngritur dyshime për një rrjet të organizuar kriminal në mbarështimin, transportin dhe shitjen e tyre.
Gjatë kontrolleve në terren në disa shtete, ku u përdorën edhe metoda të kamufluara për mbledhjen e provave, Amfora dokumentoi se të paktën në Shqipëri dhe në Kosovë mund të porositet lehtësisht një këlysh luani, përmes “dyqaneve të kafshëve”, ndërsa dëshmitë tregojnë për një treg të madh rajonal, jashtë kontrollit të autoriteteve.
“Nëse i kontakton [dyqanet e shitjes së kafshëve], gjëja e parë që ata thonë është, oh luanët dhe tigrat janë të lehtë për mua. Për mua është e vështirë nëse më kërkon një dinozaur”, shpjegoi veterineri Ariel Vasili.
Në Shqipëri gjithmonë e më shumë luanët që blihen këlyshë po zëvendësojnë kafshët shtëpiake të bosëve të krimit, fëmijëve të biznesmenëve dhe të politikanëve, të shpërndarë në të gjithë vendin, por kryesisht në rajonin qendror dhe atë verior.
“Mendohet të jenë rreth 80 ose 90 mace të mëdha, pra luanë dhe tigra në Shqipëri”, analizoi veterineri Ariel Vasili, për përllogaritjet që janë bërë përmes punës kërkimore të ekspertëve dhe organizatave për mbrojtjen e kafshëve. Numrat u rritën fill pasi luanët këlyshë u kthyen në simbolin e ri të pushtetit kriminal përgjatë viteve të fundit.
“Kjo lidhet me mentalitetin e këtyre lloj njerëzve. Ata zakonisht mendojnë se unë nuk mund të mbaj një qen si kafshë shtëpiake sepse nuk jam në të njëjtin nivel me fqinjin tim”, shpjegoi Sajmir Shehu, nga Organizata ndërkombëtare “Four Paws”.
Ato trafikohen këlyshë dhe arrijnë të mbijetojnë përmes ushqimit me qumësht të ngjashëm si të bebeve, një trajtim i papërshtatshëm dhe mënyra se si mbahen krijon më vonë probleme shëndetësore.
“Të dy ishin të kequshqyer”, i përshkoi luanët këlyshë që u gjenden në qytetin e Suboticës në Serbi, Sonja Mandić, drejtoresha e Kopshtit Zoologjik Paliç. “Nuk ushqeheshin me llojin e duhur të ushqimit apo suplementeve, ata ishin ushqyer me qumësht formulë për foshnjat njerëzore”, shtoi ajo për 2 këlyshët luanë që policia ja dërgoi pasi u gjetën në rrugë në vitet 2022 dhe 2023.
Luanët dhe tigrat – Moda më e fundit e krimit të organizuar
15 minuta larg perandorisë së rënë tashmë të Ervis Martinajt, një tjetër perandori është ngritur në një gadishull piktoresk në Lagunën e Patokut. “Royal Blue” është një restorant luksoz në pronësi të familjarëve të atij që është pagëzuar si “baroni i drogës”, Gëzim Çela.
Më 28 nëntor 2023 një luan i vogël ishte i ftuari special i festës së pavarësisë së Shqipërisë, të cilit ju mbush gota me verë, pranë një qeleshe tradicionale. Në videon e shpërndarë në Instagram nga restoranti, pas luanit ishin rreshtuar për t’i shërbyer 4 kamarierë me veshje tradicionale.
“Tani është në moshën 8 muajsh, është rritur shumë për një vizitë”, rrëfeu një prej punonjëseve të restorantit. Kur ne kërkuam ta shihnim, ajo tha ngadalë, “Është shumë e rrezikshme për ju”.
Pak më tutje u dëgjua, “Po kërkoni për luanin?”, pyeti plot zell një djalë pas banakut. “Unë kam një të tillë këtu”, shtoi djali duke nxjerrë nga xhepi celularin dhe shfaqi fotot me kafshën ekzotike.
Shpejt mësuam se ai quhet “Tajson” dhe se ushqehet me mish të freskët çdo ditë. Gëzim Çela jetoi për disa vite në arrati dhe ja kaloi imagjinatës kriminale, duke punësuar si “shofer” shefin e Policisë së Kurbinit, Dritan Metaj. Dikur edhe vetë Çela ishte oficer policie dhe pas arrestimit në Kosovë u ekstradua në mars të këtij viti, duke u akuzuar si kreu i grupit të strukturuar kriminal për trafikun e drogës.
Megjithatë për Tajsonin rrëfejnë se e futi në familje djali i tij. Pronarët e restorantit “Royal Blue”, ku ishte shfaqur disa herë luani nuk pranuan të komentojnë rreth tij.
Aktivistët tregojnë se mbajtja e këtyre kafshëve nga familjet kriminale vështirëson edhe identifikimin e pronarit të tyre, në rast denoncimi tek autoritetet. Gëzim Çela përpara arrestimit arriti të ndryshonte pronësinë e restorantit, ndërsa bosë të tjerë droge kanë ndryshuar edhe vetë emrat e tyre dhe nuk rezultojnë pronarë të pasurive të patundshme.
“Nuk kam nga ta dijë se kush është personi, unë kam vetëm një video dhe ajo hiqet në momentin që çështja bëhet publike”, shpjegoi Oli Pero për raste të ngjshme, e cila drejton Organizatën “Animals Need Me” (Kafshët kanë nevojë për mua), e fokusuar në Shkodër.
Krimi i organizuar në rajon megjithëse e adhuron figurën e luanit, si përmes citimit të thënieve dhe postimeve me ikonën (“emoy”) e tij, duket më pak i guximshëm për të shkuar në këto nivele.
Ekspertët tregojnë se kjo qasje u zhvillua edhe pas zhvendosjes në Dubai të eksponentëve të krimit të organizuar shqiptar, ku megjithëse është e paligjshme, nisën të frymëzohen nga imazhi i elitave kriminale të Lindjes së Mesme, që mbajnë tigra dhe luanë.
“Rreth 70% janë luanë dhe 30% tigra”, analizoi eksperti Sajmir Shehu.
“Mendojnë se luanët janë pak më të qetë, jo aq agresivë sa tigrat dhe kanë informacion për njerëzit që zakonisht kanë tigra dhe pastaj i ndryshojnë në luanë sepse tigrat janë shumë agresivë”, rrëfeu Shehu. “Nuk e di se çfarë prisnin ata?!”, pasoi ai me pyetje retorike.
Duke u ngjitur edhe më në veri të Shqipërisë – “Mbreti Didi” ishte një tjetër surprizë kur u shfaq në një rrugicë të ngushtë, shtyllat e së cilës ishin të mbingarkuara me kamera sigurie. Përbri një Mercedes Benz-i të klasit luksoz “G”, ai shëtiste i përhumbur, dukshëm si banori më i ri i lagjes.
Ne përllogaritëm audiencën e tij dhe është luani më i famshëm shqiptar në “TikTok”, ku një prej videove ka marrë 7.2 milion shikime. Midis komenteve të audiencës dallojnë lutjet me mesazhin se kur të rritet dhe të mos e mbajnë më, të njoftojnë organizatën “Four Paws”.
Por arroganca e menaxherit të llogarisë në “TikTok” – që ndryshe nga zakonisht nuk mban emrin e luanit, por pseudonimin “Montal” – u pasua nga komentet se ai e ushqen luanin me 2 kg mish në ditë.
“Është e paligjshme të posedosh një kafshë të egër. Ai duhej ishte i lirë në habitatin e tij origjinal dhe jo si një kafshë shtëpiake, në një shtëpi”, komentoi në anglisht një përdorues i TikTok.
Anisa Kostani i doli në krah poseduesit të llogarisë së luanit – që i kërkoi komentuesit të flasi shqip – duke treguar se ajo e njeh mirë ligjin dhe të mos merren me luanët, por me qentë me zinxhirë.
“Ahaa, unë oficere policie, ti më tregon ligjin”, replikoi ajo me komentuesin që tregoi se është e paligjshme mbajtja e luanit.
Ajo rezulton të mos jetë një oficere e thjeshtë, por nënkomisare në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit – një tjetër qytet i përgjakur nga përplasjet mes bandave kriminale. E pezulluar për disa kohë nga detyra pasi ofendoi gazetarët, ajo gjithashtu është e pasionuar pas gjarpërinjve, që i ekspozon në rrjetet e saj sociale, përfshirë emisionet televizive. Por nënkomisarja nuk është një rast i izoluar, Amfora identifikoi edhe punonjëse të tjera policie që u ekspozuan me luanë të vegjël.
Luani në Shkodër dyshohet se qëndron në një prej bazave të familjeve kriminale të qytetit. Hashtagjet që shoqërojnë videot e luanit, identifikojnë Belgjikën dhe Brukselin, një prej bazave të grupeve që janë tepër të dhunshme atje dhe e kanë transferuar pushtetin kriminal edhe në Shkodër, duke u përballur vitet e fundit me autoritetet belge dhe me Prokurorinë Speciale në Shqipëri.
Burime të ndryshme i thanë Amforës pa u identifikuar për shkak të profilit kriminal të pronarëve të maceve të mëdha, se në qytet gjenden të paktën 3 luanë dhe një tigër – që dyshohet se mbahet nga “Familja Bajri”, një klan kriminal i vendosur atje në Lagjen Dobraç.
Në 10 vitet e fundit Policia e Shtetit ka hetuar personat që kanë kapur apo mbajtur kafshë të ndryshme ilegalisht, por duket se ata ende nuk kanë arritur në skutat e krimit, ku fshihen luanët dhe tigrat.
“Për veprën penale ‘Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër’, sipas nenit 202 të Kodit Penal, për periudhën 01.08.2014 – 01.08.2024, janë evidentuar 15 raste, me 19 autorë të proceduar, 3 nga këta të arrestuar në flagrancë, 15 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 i shpallur në kërkim”, shpjegoi zyrtarisht policia.
Në një vit Oli Pero dhe aktivistët kanë depozituar 22 kallëzime penale në disa qytete për keqtrajtimin e kafshëve. “Megjithatë, këto kallëzime penale nuk kanë dhënë fryte siç mund të kishim shpresuar në fillim sepse Kodet Penale për kafshët janë të shumta”, tregoi e reja.
Amfora mësoi se ajo dhe ekspertë të tjerë në Shqipëri janë përballur me presione dhe sulme fizike pasi kanë ndjekur raste të ndryshme të mbajtjes së paligjshme të kafshëve. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, një prej eksperteve dhe aktivisteve që denoncoi mbajtjen e një luani, u kërcënua me jetë.
“Ishte vërtetë një përvojë e tmerrshme për mua”, tregoi gruaja. “Mafia që diskutoi për të më vrarë mua dhe gjëra të tjera si kjo”, shtoi ajo – Pasi denoncoi se një këlysh luani po ekspozohej ne mediat sociale dhe i bëri thirrje autoriteteve të vepronin.
Rritja e popullaritetit të luanëve po ndikohet edhe nga shfaqjet e personazheve publike përkrah tyre. Reperi shqiptar “Noizy” u shfaq në një video në “TikTok” duke luajtur me dy luanë – menaxheri i tij nuk e komentoi rastin kur u pyet.
Ai u përfshi gjithashtu në një shaka televizive, duke supozuar se kishte blerë një luan dhe telefonoi drejtpërdrejtë reperin tjetër “Stresi”, i cili duke mos e kuptuar që ishte në transmetim në një televizion kombëtar, nisi të fliste për një rast real – që sipas nënkuptimit ishte luani i Ervis Martinajt.
“Shfaqjet televizive shfaqin shpesh kafshë ekzotike si ujqërit ose gjarpërinjtë dhe intervistojnë pronarët e tyre për argëtim, duke magjepsur publikun në Kosovë”, komentoi i shqetësuar nga ana tjetër e kufirit, Arif Aliu.
“Dënimi është shumë i ulët”. Ambientalisti nga Kosova apeloi që ligji t’i ndjeki seriozisht njerëzit për këtë lloj krimi dhe shtoi se, “Nuk është se na mungon baza ligjore për të ndjekur penalisht krimet, por është zbatimi që mungon”.
Gjithashtu “influencuesit” në mediat sociale janë pjesë e shfaqjeve impresionuese me luanë. Stefan Janković është një i ri në Serbi që u shfaq duke ngritur lart me të dyja duart një këlysh luani – ndoshta duke imituar Simbën, tek filmi i “Disney, The Lion King”. Ai numëron në Instagram, TikTok dhe Youtube të paktën 3 milion ndjekës.
Nga “TikTok”-u tek “Dyqanet e kafshëve”, linja e trafikut ilegal
Monopolin për transferimin dhe mbajtjen e kafshëve ekzotike si luanët dhe tigrat në Ballkan e kanë “unitetet zoologjike”, pra kopshtet zoologjike të certifikuara – kryesisht shtetërore, që i shkëmbejnë sipas nevojave me njëri-tjetrin në rajon dhe më gjerë.
“Nuk ka një çmim për to, nuk ekziston një treg legal për shitjen dhe blerjen e luanëve dhe të tigrave”, shpjegoi veterineri Ariel Vasili.
Por përballë kësaj gjendet një realitet ku tregtia e paligjshme e kafshëve të egra renditet si aktiviteti i katërt më i madh kriminal në mbarë botën, pas trafikimit të armëve, narkotikëve dhe qenieve njerëzore.
Ky treg kap vlerën rreth 23 miliardë dollarë në vit sipas Forumit Ekonomik Botëror. Kryesisht përmes “TikTok”-ut, trafikantët arrijnë të gjejnë lehtësisht klientët dhe të kamuflohen. Amfora zbuloi se në Shqipëri dhe në Kosovë një pjesë e trafikantëve fshihen nën petkun e “Dyqaneve të Kafshëve”.
“Komunikimi me numra celulari të huaj dhe jo me numra shqiptarë është si një formë e mbuluar për t’i anashkaluar kanalet tradicionale si ‘Facebook’-u, që më përpara përdorej”, analizoi Xhemal Xherri, që ndjek dhe denoncon krime të tilla përmes PPNEA-s (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri).
Ai shpjegoi se “TikTok”-u dhe “Instagram”-i janë mjetet më fleksibël dhe më të vështirë për tu gjurmuar. Po ashtu përdoren edhe faqet në internet për tregtinë e mallrave të ndryshme, ku nga një kërkim i hapur, në dy postime të ndryshme për në “Tiranë” dhe “Prishtinë”, i njëjti shitës ofronte këlyshë luani për 9000 euro.
“Çmimet variojnë nga 6000 euro – kur gjendet burimi kryesor – deri në 12.000 euro”, vlerësoi Sajmir Shehu në bazë të hulumtimit të tij.
“Ferma e Qenve Golem” vijon ta ruajë bazën e tij në fshatin me të njëjtin emër pranë Durrësit. Por tashmë ai ka edhe dyqanin e tij të kafshëve në kryeqytet. Në profilin në “TikTok” ruhet në krye të faqes postimi me një këlysh luani, si kafsha më e veçantë që tregtohet.
Një tabelë pak e ndryshkur, jo larg vijës bregdetare, tregon se strukur në një ndërtesë disakatëshe banimi dhe shërbimi, gjendet një dyqan kafshësh, ku era e jashtëqitjes së qenve të pushton shqisat dhjetëra metra larg.
Burri i qethur zero, rreth të pesëdhjetave, sillej mes këlyshve të qenve, që ishin pikturuar me merak për disa metra në një mur, shoqëruar me shprehje për dashurinë dhe kujdesin ndaj tyre.
Por kur u pyet për katërputroshët e familjes së maceve të mëdha, ai tregoi se mund ta siguronte një këlysh luani brenda dy javësh, për 3000 deri në 4000 euro. Megjithatë, pasi bisedoi me djalin e tij në “WhatsApp” për ta përmbyllur marrëveshjen, ai u kthye i prerë duke thënë, “Ne nuk shesim luanë këtu!”.
Ndërkohë një tjetër dyqan kafshësh, “Pet Store Tirana”, premton se ta sjell një luan deri në shtëpi për 7500 euro. Por këto nuk janë të vetmit, të tjerë trafikantë ofrojnë këlyshë luanësh dhe tigrash në mënyrë më të kamufluar.
Kur u pyet përsëri dy javë më vonë përmes telefonit, nëse u shet luanë klientëve privatë, dyqani i kafshëve në Golem nuk pranoi të komentonte. Por koha e shpejtë e sjelljes së tij, ka ngritur dyshime se “fermat” ndodhen diku në Ballkan apo afër tij dhe se trafiku kryhet ilegalisht përmes rrugëve tokësore.
“Nga të dhënat që kemi nga terreni dhe nga rrjetet sociale, është një treg ilegal i mirëstrukturuar, i kontrabandimit të kafshëve të egra dhe ekzotike, duke anashkaluar ligjin e CITES-it, ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për tregtinë e kafshëve”, shpjegoi veterineri, Ariel Vasili – i specializuar për trajtimin e specieve të familjes së maceve.
Shqipëria është pjesë e CITES – Konventa Ndërkombëtare e Specieve të Rrezikuara – dhe për çdo kafshë apo shpend të klasifikuar ndërkombëtarisht si i rrezikuar apo i rrallë, duhet që për futjen apo nxjerrjen e tyre nga Shqipëria, transportuesi të pajisjet me lejen e eksportit.
Për zbatimin e CITES në Shqipëri është përgjegjëse Ministria e turizmit dhe Mjedisit. Por sipas të dhënave situata zyrtare nuk ka asnjë lidhje me realitetin vendas. Ngjashëm edhe nga vëzhgimi në rajon, duke përjashtuar Kosovën që nuk është pjesë e konventës, mungojnë të dhënat zyrtare për luanët e zbuluar, duke dëshmuar se është 100% ilegale.
“Kanë qenë 2 raste të kaptivitetit të llojeve tigër dhe luan në territorin tonë, të cilët janë sekuestruar dhe janë dërguar në strehimore jashtë vendit, shpjegoi zyrtarisht ministria në Shqipëri.
Po ashtu nga analizimi i të dhënave 10 vjeçare të të gjitha importeve dhe eksporteve, nuk rezulton të jenë futur zyrtarisht këlyshë luanësh apo tigrash, përveç rastit të cituar të kopshtit zoologjik privat në Fier dhe të prurjeve të reja në Kopshtin Zoologjik të Tiranës.
“Ky lloj tregtimi i kafshëve ekzotike është një sektor që gjeneron shumë të ardhura dhe lidh shumë grupe interesi”, analizoi Xhemal Xherri nga PPNEA.
“Sigurisht rrjetet sociale janë një mënyrë shumë e mirë për të promovuar këtë lloj tregtie”, shtoi ai.
Teksa sipas disa burimeve – që ne pyetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, dyshohet se një pjesë e këlyshëve të luanëve dhe tigrave kalojnë ilegalisht përmes doganave tokësore – Policia e Shtetit deklaroi se në 10 vite nuk ka identifikuar asnjë rast të tillë trafikimi.
“Për veprën penale ‘Tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër’, sipas nenit 202/a të Kodit Penal, për periudhën 01.08.2014 – 01.08.2024, nuk janë evidentuar raste, prandaj nuk janë kryer veprime nga Policia e Shtetit dhe rrjedhimisht nuk gjenerohet informacion”, shpjegoi zyrtarisht policia në Shqipëri.
Po ashtu në Kosovë në qytete të ndryshme dyqanet e kafshëve kanë filluar të reklamojnë këlyshët e luanëve për shitje. Në fund të majit, “Smart Pet Shop” në Gjilan, ofroi 2 këlyshë luani për shitje në Instagram.
“Përshëndetje klientë të nderuar, ju njoftojmë se luanët nuk janë më në gjendje. Faleminderit për interesimin!”, shkruajti dyqani i kafshëve në “Instagram” më 31 maj – Por kur u pyet nga ne, tregtari tha se shet vetëm qen, mace dhe papagaj.
130 kilometra nga aty, gjendet “Pet Store Peja”, një tjetër dyqan kafshësh. “Në fillim të biznesit tim nuk e kam ditur, kam hyrë nëpër faqe dhe kam parë që dikush po ofron tigra e luana, mashtrues edhe unë i kam postuar”, shpjegoi burri.
“Unë i kam postuar ato, por më ka thirrur policia për 2 orë dhe kam shkuar kam bërë deklaratën në Pejë”, shtoi ai, por megjithatë tregoi se vazhdonte të ofronte kafshë të tjera ekzotike, përfshirë breshkat e vogla, majmunët dhe gjarpërinjtë e rrezikshëm.
“Unë mund t’i marr ato nga Beogradi kur të doni”, tha ai.
Në Prishtinë, Arif Aliu nga “Animal Rights Foundation”, dyshon se pronari i dyqanit në Pejë përdor biznesin e tij të dytë – shërbim taksie që operon në të gjithë Ballkanin – për të lëvizur speciet e mbrojtura.
“Ne mendojmë se këlyshët janë diku në Kroaci ose [diku tjetër në] Ballkan, dhe ai thjesht po i reklamon për të matur interesin përpara se t’i sjelli në Kosovë”, shpjegoi Aliu, me frikën se trendi së shpejti do të lulëzojë edhe atje.
Luanët dhe tigrat sipas analizave të zhvilluara nga veterinerët nuk janë me origjinë nga Afrika dhe nuk kanë lindur në natyrën e egër. Ata janë lindur nga nëna të mbajtura në kaptivitet (të robëruara) dhe sëmundjet që mbartin kanë ngritur dyshime për ferma që mund të jetë brenda në Ballkan apo afër tij.
“Thonë se i sjellin nga Serbia. Kështu tregojnë, oh ka ardhur nga Serbia”, tregoi veterineri Ariel Vasili, për shumicën e komenteve që dëgjohen në Shqipëri për origjinën e këtyre luanëve.
Një problem shëndetësor për të cilin flitet kohët e fundit është se luanët nisin të shfaqin shqetësime me gjunjët e tyre dhe po ashtu janë konstatuar probleme gjenetike nga riprodhimi përmes çiftëzimit të individëve me prejardhje të përbashkët familjare.
“Ne kemi filluar të shohim se edhe ata [që supozohet se vijnë] nga Serbia kanë probleme me gjunjët sepse ata [trafikantët] ndoshta e kanë pak të vështirë të gjejnë çifte të reja [për t’i shumuar]”. Femrat janë të vështira për t’u gjetur dhe për t’u porositur”, analizoi Vasili për Median Amfora.
Duke shtuar se, “Shqetësimet me gjunjët shfaqen që në moshë fare të re, çka tregon probleme kongjenitale, të trashëguara nga bashkëgjakësia [çiftëzimi i kafshëve të një gjaku, që kanë një paraardhës të përbashkët]”.
“Pak informacione që kam, ata zakonisht vijnë përmes Kosovës nga Serbia, ose përmes Malit të Zi. Por është pak më e vështirë. Nëpërmjet Kosovës është pak më e lehtë që ata të hyjnë përmes rajonit të Mitrovicës”, ishin dyshimet e Sajmir Shehut, që ka punuar me Organziatën “Four Paws” për dërgimin jashtë vendit të luanëve që mbaheshin në robëri.
Dyshimet shtohen edhe për faktin se trafikantët – dyqanet e kafshëve shtëpiake – premtojnë se ato mund të vijnë për 2 javë. Amfora kërkoi për gjurmë të mundshme të dy fermave për riprodhimin e luanëve dhe tigrave, që dyshoheshin se gjendeshin në territorin e Beogradit dhe të Nishit, por nuk u identifikua ekzistenca e tyre.
“Gjithçka rreth kafshëve në një vend”, kjo është moto e të riut që identifikohet me nofkën “Dani Tarzan” në mediat sociale Instagram dhe TikTok. Ndërsa në Facebook ai paraqitet me emrin “Dani Al Aloush” dhe deklaron se është me origjinë nga Dubai dhe jeton në Serbi.
Ai duket rreth të 30-ave dhe u shfaq për herë të parë në Instagram në vitin 2022 dhe një vit më pas në TikTok. Nga luanët, tek tigrat, përfshirë kafshë të tjera ekzotike, si majmunët dhe gjarpërinjt, ai ka vendosur numrat e tij të telefonit për të shitur kafshët, shpendët dhe zvarranikët që tregton.
“Nuk e kam në Serbi, është në Dubai”, tha ai kur u pyet për luanët, duke u shmangur nga përballja me gazetarët, përmes justifikimit se nuk dëshironte të takohej për të diskutuar mbi biznesin e tij nëse nuk do i paguhej një tarifë e madhe.
Nga videot dallohet se ai i mban kafshët në një banesë me grila të ulura, ku dallohet edhe një armë e gjatë, ngjashëm me një pushkë dhe jashtë ka një hapësirë të gjelbër.
“Natyrisht, në Serbi si në çdo vend që është në kufi me BE-në, ekziston ky shqetësim për tregtinë ilegale të kafshëve”, tregoi veterineri në Beograd, Kristijan Ovari, duke shtuar se nuk ka ende hetime që të kenë zbuluar tregtarë ilegalë apo blerës të tigrave dhe luanëve.
Por ai dyshon se në Serbi ka një kërkesë po aq të madhe për këlyshë luanësh ilegalë, sa në Shqipëri. “Njerëzit e tillë kanë më shumë gjasa të kenë një pitbull ose kështu [luanë dhe tigra]”, tha ai.
Megjithatë një zinxhir autoritetesh përgjegjëse në Serbi nuk ju përgjigjën kërkesave për informacion mbi situatën atje.
Zbulime aksidentale, me qindra mund të fshihen në Ballkan
Pranë kufirit me Hungarinë, në periferi të Suboticës, policia lokale u njoftua nga një banor që nuk mund t’i besonte syve për atë që kishte parë. Një këlysh luani, në dukje i rraskapitur por aspak i trembur – që dyshohet se ka qenë i mësuar me njerëzit – endej i përhumbur.
Zgjidhja më e lehtë për policinë në këto raste, ishte Kopshti Zoologjik i Paliçit aty pranë, ku u dërgua këlyshi femër në shtator të vitit 2023.
Për punonjësit e kopshtit nuk ishte surprizë pasi edhe në vitin 2022 policia “kishte hedhur” aty një këlysh luani të shpëtuar, duke harruar të kërkonin deri në fund për autorët.
Për rastin e parë, “Luani mashkull kishte probleme me veshkat, por që atëherë është shëruar”, shpjegoi për Amforën, Sonja Mandić, drejtoresha e Kopshtit Zoologjik Paliç, ku punon prej 15 vitesh.
Larg nga aty, në vitin 2023 një burrë u shfaq në foto me një këlysh luani në një apartament të dyshuar në Bosnje dhe Herzegovinë, por autoritetet atje nuk arritën ta identifikonin.
Gjithashtu raste të ngjashme u identifikuan në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e veriut, ku në rrugë dhe në rrjetet sociale u panë këlyshë luanësh, të cilat megjithëse mbeten raste të izoluara, autoritetet kanë nisur hetime – që nuk patën gjetje serioze deri më tani.
“Shohim se gjithmonë e më shumë luanë dhe mace të tjera të mëdha po përfundojnë në pronësi private”, tregoi Simone Schuls, menaxherja e “Sanktuarit (‘Shenjtores’) së maceve të mëdha FELIDA”, në Holandë.
“Pritet që në dekadat e ardhshme, shumë kafshë të tilla të kenë nevojë për strehimore”, shtoi Schuls përmes intervistës së zhvilluar në qendrën e rehabilitimit në fshatin e vogël holandez, Nijeberkoop dhe që menaxhohet nga “Four Paws“. Aty kanë përfunduar për trajtim luanët e mbajtur në robëri në Ballkan, përfshirë ata që u shpëtuan në Shqipëri (Fier) dhe në Malin e Zi (Budva).
“Në një moshë të re mund të mbahen në kushtet e shtëpisë, por kur ato rriten, paraqesin një rrezik për vetë ata që i mbajnë, për njerëzit e tyre të afërm, por edhe për shoqërinë në përgjithësi”, komentoi situatën kolegu i saj, Afrim Mahmuti.
“Këto nuk janë kafshë shtëpiake, por ata nuk e kuptojnë”, shtoi Mahmuti, drejtori vendor në Kosovë për organizatën “Four Paws”, të cilët kanë ndërtuar “Pyllin e arinjve” (Bear Sanctuary), një mjedis ku rehabilitohen dhe jetojnë arinjtë që janë shpëtuar nga robërimi në Shqipëri dhe Kosovë.
Midis arinjve të shpëtuar “nga ferri”, aty qëndron vetëm luani “Gjoni”, i shpëtuar nga robëria në një restorant dhe që nuk dërgohet dot jashtë vendit për trajtim sepse Kosova nuk është pjesë e “CITES” – Konventës Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara.
Numri i lartë i luanëve dhe tigrave që mbahen në ambientet private në Shqipëri dhe në Ballkan ka ngritur shqetësime mbi të ardhmen e trajtimit të tyre, procese që kërkojnë hapësira të dedikuara dhe kosto të larta për përkujdesjen e ushqimin.
“Kopshti zoologjik zakonisht ndihmon, por problemi ynë është se kemi burime shumë të kufizuara. Nuk mund të pranojmë shumë kafshë”, analizoi i shqetësuar për Amforën, veterineri i Kopshtit Zoologjik në Beograd, Kristijan Ovari.
Teksa luanët që mbahen ilegalisht në ambiente private në Ballkan rriten kohë pas kohë, ritmi i autoriteteve është shumë herë më i ulët për parandalimin e krijimit të një popullate të madhe, që do të kërkojë në të ardhmen e afërt miliona euro investime për kapjen dhe trajtimin e tyre.