Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke thënë se vendimi i KQZ-së duhet të respektohet.
Osmani ka thënë se “Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është një institucion i pavarur kushtetues, i cili vendosë në mënyrë të pavarur. Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, ka thënë Osmani, transmeton Telegrafi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të hënën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër.
Vendimi për moscertifikim të Listës Serbe u mor pavarësisht se Zyra për Regjistrimin dhe Verifikimin e Subjekteve Politike kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, në mbledhjen e së hënës, Kurteshi ngriti kritika të shumta ndaj Listës Serbe, përfshirë lidhjet e saj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-nënkryetarin e partisë Millan Radoiçiq, i cili dha dorëheqjen pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë .
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar shprehu shqetësim se procesi i certifikimit të subjekteve politike po ndikohej nga motive politike dhe bëri thirrje që Lista Serbe të ushtrojë të drejtën e saj për t’iu drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë deklaroi se “është e domosdoshme që votuesit, e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, theksoi se është e nevojshme një zbatim i barabartë i ligjit për të gjithë dhe se procesi i certifikimit nuk duhet të politizohet.
Reagime të ngjashme erdhën nga Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së.
Organizatat joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore vlerësuan se KQZ-ja mori një vendim “në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e tjera në fuqi.”
Lista Serbe, subjekti më i madh i serbëve në Kosovë, ka njoftuar se do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës (KQZ), nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
PZAP-ja ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë se e ka pranuar ankesën e kësaj partie.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve.