Bashkimi Evropian u është bashkangjitur thirrjeve që të mos mohohen e as të tentohet të revidohen krimet, si ai në Reçak. Në një përgjigje rreth kësaj masakre, të cilën në Serbi disa herë e kanë quajtur “trillim”, BE-ja e ka qartësuar pozicionin.
“Ajo që ka ndodhur në Reçak në Kosovë dhe mizoritë e kryera atje janë mirë të dokumentuara” dhe se #mohimi apo revizionizmi shkojnë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim edhe me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimore në Bashkimin Evropian”, thuhet në një reagim të kësaj organizate, raporton “Koha Ditore”.
Në pjesën tjetër të reagimit nga BE-ja përsëritet thirrja që autoritetet në rajon të punojnë me sinqeritet dhe vlerësim të vërtetë të së kaluarës në respekt të viktimave. Aty thuhet se BE-ja kërkon pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve në rajon.
Në reagimet e mëhershme BE-ja ishte përmbajtur nga përmendja e termit “masakër”, “krim” apo terma të ngjashëm, duke e quajtur atë që ndodhi në Reçak vetëm “ngjarje”.
Në reagimin e së mërkurës, përdoret termi në anglisht “atocities”, me të cilin dëshmohet se BE-ja e konsideron masakrën e Reçakut, krim mizorë, ashtu siç e ka trajtuar edhe Gjykata e Hagës me dënimet ndaj ish- liderëve policorë dhe ushtarakë të Serbisë për krimet në Kosovë.