Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan Donald Trump.
Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili së bashku me ambasadorin në SHBA Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar, ka thënë për KosovaPress Bekim Kupina, këshilltar për media.
Presidentja Osmani tashmë ka pasur rastin ta urojë personalisht Trump gjatë një bisede përmbajtësore muajin e kaluar në Pallatin Elysee në Paris.
“Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta”, ka thënë Kupina.
Kujtojmë, në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan nga ambasadorët e tyre të akredituar në Uashington. Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ku në garë ishte me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris. Kosovapress