Mijëra viktimave të skllavërisë moderne po u mohohet mbështetja shkaku i masave britanike ndaj migracionit të paligjshëm, një dekadë pas miratimit të legjislacionit që e vë vendin në ballë të luftës globale kundër trafikimit të qenieve njerëzore – kanë thënë për Agjencinë Reuters një numër burimesh të informuara me këtë çështje.
Ligji i skllavërisë moderne i Britanisë i vitit 2015 i detyroi bizneset e mëdha ta trajtojnë skllavërinë në zinxhirët e tyre të furnizimit dhe fuqizoi mbrojtjen ekzistuese për viktimat.
Por, këto masa mbrojtëse janë anashkaluar nga rregullat e vitit 2023 për frenimin e migracionit të paligjshëm, pasi politika e bëri prioritet trajtimin e dhjetëra-mijëra emigrantëve të cilët mbërrijnë çdo vit me varka të vogla në Britani.
Reutersi ka intervistuar një numër individësh në Qeveri, në sistem të zbatimit të ligjit, gjyqësor dhe organizata bamirëse, të cilët thanë se ligjet më të ashpra i kanë lënë mijëra viktima të kurthuara në skllavërinë moderne, duke mohuar kërkesat për mbështetje, por edhe duke i ndalur të flisnin nga frika e dëbimit.
“Skllavëria moderne nuk është çështje imigracioni, është çështje e të drejtave të njeriut.” – ka deklaruar Kathy Betterridge, drejtoreshë në Armatën e Shpëtimit, e cila ka zbatuar Kontratën qeveritare për të mbështetur viktimat në 14 vjetët e fundit.
Pasi legjislacioni i ri kërkonte që viktimat të paraqisnin prova më të mëdha të shfrytëzimit për t’u kualifikuar për mbështetjen e shtetit, përqindja e refuzimeve në rastet e skllavërisë u rrit në 45% në 2023, nga vetëm 11% në 2022 – tregojnë të dhënat zyrtare. Në nëntë muajt e parë të 2024, shifra shkoi në 46%.
Në vitin 2023, Home Office – Ministria e Brendshme e Britanisë – identifikoi rreth 17 mijë persona si viktima të mundshme të skllavërisë moderne dhe 13.587 të tjerë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar. Sipas Policisë, pjesa më e madhe e referimeve ishin emigrantë, të cilët shpesh silleshin në Britani për të punuar në sallone ondulimi, autolarje makinash, punë seksuale dhe tregti të paligjshme të drogës.
Kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Një Raport nga një komitet i Dhomës së Lordëve, i publikuar në tetor, njoftoi se kishte rreth 130 mijë viktima të skllavërisë moderne në Britani.
“Kur Ligji i Skllavërisë Moderne u miratua në 2015, Mbretëria e Bashkuar thuhej se ishte lidere në botë. Ky nuk është më rasti.” – shkruhet në Raportin botuar në tetor. Raporti i kërkoi Qeverisë të ndryshojë rregullat e imigracionit.
Qeveria laburiste e Britanisë, e cila mori pushtetin në korrik, nuk e ka ndryshuar legjislacionin, pavarësisht se ndërsa ishte në opozitë deklaronte se rregullat ishin të padrejta.
Javën e kaluar Qeveria e kryeministrit Keir Starmer mbajti në fuqi ndalimin konservator për azilkërkuesit që të mund të pretendonin mbrojtje moderne të skllavërisë, pavarësisht se Starmer kishte thënë në të kaluarën se i kishte prirë mbrojtjes për gratë e trafikuara.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka deklaruar se Qeveria po punon për të hequr pengesat e atyre që prisnin vendimet përfundimtare mbi pretendimet e tyre për mbështetjen e skllavërisë moderne dhe do të ashpërsonte legjislacionin kundër bandave kriminale përgjegjëse për shfrytëzim.
“Është e papranueshme në Britaninë e sotme që mijëra njerëz të cenueshëm, kryesisht gra dhe fëmijë, detyrohen të punojnë kundër vullnetit të tyre, shpesh duke u përballur me abuzime të rregullta fizike dhe seksuale.” – ka thënë zëdhënësi.