Orët e para të izolimit Erion Veliaj duket se i kaloi duke menduar reagimin publik pas arrestimit nga SPAK.
Nga qelia e Bllokut të Sigurisë, kryetari i Bashkisë kishte kohën e mjaftueshme që të hidhte disa rreshta në rrjetet sociale duke mos pranuar asnjë nga katër akuzat e ngritura ndaj tij dhe rrjedhimisht, duke mos hequr dorë nga mandati i kryebashkiakut të Tiranës.
“Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar”, shprehet kryebashkiaku.
Gjuha e Veliajt ndaj SPAK ishte më e moderuar se sa nga akuzat që i drejtohen vazhdimisht organit special të akuzës, por që në final, arrestimin e konsideroi të motivuar politikisht për të dëmtuar PS-në në zgjedhjet parlamentare.
“Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”, shtoi ai.
Me arrestimin e Veliajt drejtimi i Bashkisë së Tiranës do të caktohet nga Këshilli Bashkiak i cili duhet të caktojë një nga katër nënkryetarët për të ushtruar kompetencat e qytetarit të parë të kryeqytetit.