Është shtyrë seanca në Gjykatën e Tiranës ndaj të miturit Mario Përlleshaj, nën akuzë për vrasjen e bashkëmoshatarit Martin Cani.
Gjatë seancës ishin të pranishëm edhe prindërit e të ndjerit.
Nëna e viktimës në një deklaratë për media nuk komentoi çfarë ndodhi brenda sallës së gjyqit, por theksoi se do të luftojë deri në fund që të dalë e vërteta e vrasjes së djalit të saj.
Ajo u shpreh se Martin Cani humbi jetën në mënyrë tragjike dhe në rrethana të mirëmenduara.
“Do të luftoj deri në fund, fëmija im humbi jetë në mënyrë tragjike në rrethana të menduara. Do të këmbëngul të dalë e drejta.
Seanca të bëhet e hapur, s’kemi çfarë mbajmë sekret. Seanca të zhvillohet me dyer të hapura, fëmija im të bëhet shembull për të tjerët, që kjo tragjedi të mos ndodh në familjet e tjera”, tha ajo.
Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë, pasi u arrestua për krimin në shkollën “Fan Noli” ku i dyshuari ishte nxënës.