Shqipëria mposht Andorrën me rezultatin e pastër 3-0 dhe merr fitoren e parë në kualifikueset e Botërorit. Kuqezinjve i mjaftuan vetëm 45 minutat e para të këtij takimi për të marrë 3 pikët.
Skuadra e drejtuar nga Silvinjo zhbllokoi ndeshjen në minutën e 9 me Rei Manajn. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar nga Asllani, sulmuesi kuqezi në shtyllën e parë me kokë tundi rrjetën.
Shqipëria ishte e papërmbajtshme në 20 minutat e para, teksa gjetën edhe golin e dytë sërish me Rei Manajn protagonist. Aksion individual i Brojës nga e djathta, pasimi i tij në qendër gjeti goditjen e saktë të Manajt, i cili dërgoi topin në rrjetë.
Kësisoj, ai shkroi emrin në historinë e Kombëtares, pasi arriti numrin e 10 golave të shënuar me fanelën kuqezi, në atë që ishte ndeshja e tij e 40.
Manaj i është bashkuar në listë dy emrave shumë të njohur si Igli Tare dhe Sokol Kushta të cilët kanë shënuar po numrin 10 të golave me Kombëtaren. Objektivi i radhës është një tjetër dyshe shumë e njohur, ajo Rraklli-Salihi, të cilët ndalën karrierën e tyre kuqezi në kuotën e 11 golave.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me rezultatin 2-0, djemtë kuqezi trefishuan shifrat me Myrto Uzunin në minutën e 90+2. Pasim i shpejtë i Hoxhës nga e majta në qendër, topi shkon tek Uzuni i cili gjuajti dhe gjeti rrjetën.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë në Grupin K me 3 pikë të grumbulluara në 2 ndeshje, po aq sa edhe Letonia, por kuqezinjtë kanë golavarazh më të mirë, ndërsa Andorra mban vendin e fundit me 0 pikë.
Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë sërish në “Arena Kombëtare” përballë Serbisë më 7 qershor. Ndaj tyre, kuqezinjtë kanë një ngjarje të hidhur, pas dronit të hedhur në Beograd në tetor të vitit 2014.