Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kanë biseduar për një serë çështjesh me interes global dhe rajonal gjatë takimit të tyre në Washington, duke përfshirë Sirinë dhe Rripin e Gazës, ndërkohë që në mesin e temave të diskutuara ka qenë edhe rajoni i Ballkanit, njoftuan burime të Ministrisë së Jashtme turke.
“Të dyja palët theksuan rëndësinë e angazhimit me qeverinë siriane dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të stabilizuar Sirinë dhe për të luftuar terrorizmin”, thanë burimet.
Fidan dhe Rubio diskutuan një sërë çështjesh të tjera rajonale dhe dypalëshe, duke përfshirë nevojën për një armëpushim të përhershëm në Gaza, i cili u konsiderua thelbësor për paqen rajonale, thanë burimet për Anadolu.
Takimi vazhdoi gjithashtu mbi çështjet e diskutuara gjatë telefonatës së 16 marsit midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, thanë burimet.
Të dyja palët kanë diskutuar gjithashtu përgatitjet për vizitat e ardhshme të nivelit të krerëve të shtetit, ku të dy ministrat kanë shprehur angazhimin e tyre për heqjen e pengesave për bashkëpunimin në mbrojtje.
“Të dyja palët shprehën qartë vullnetin e tyre politik për të hequr pengesat për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes. Takime teknike do të zhvillohen për të zgjidhur çështjet ekzistuese”, shtuan burimet.
Palët kanë folur gjithashtu për përpjekjet për të arritur një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, me Türkiyen që ka shprehur mbështetjen për përpjekjet e fundit të SHBA-së në këtë drejtim.
Diskutimet kanë mbuluar po ashtu procesin e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe rëndësinë e stabilitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës për rajonin më të gjerë të Ballkanit.