Kryetari i pezulluar dhe i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka denoncuar arrestimin e avokatit të tij, Mehmet Pehlivan, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Kësaj radhe është avokati im Mehmet Pehlivan i cili është arrestuar me akuza krejtësisht të sajuara”, shkroi kryebashkiaku opozitar i kryeqytetit ekonomik të Turqisë, në X.
“Sikur të mos mjaftonte ky grusht shteti kundër demokracisë, ata nuk mund të tolerojnë që viktimat e tyre të mbrohen”, shtoi ai, duke bërë thirrje për lirimin e tij. “Lironi menjëherë avokatin tim”.
İmamoğlu, i konsideruar gjerësisht si rivali kryesor politik i presidentit afatgjatë Erdogan, fillimisht u arrestua më 19 mars dhe më pas u arrestua zyrtarisht nga autoritetet turke më 23 mars me akuza për korrupsion në pritje të gjykimit.
Arrestimi i tij shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin, me kritikët që e denoncuan atë si një “grusht shteti” të motivuar politikisht. Autoritetet turke kanë arrestuar afro 1900 persona që nga fillimi i demonstratave pas ndalimit fillestar të İmamoğlu.