Kompania e autobusëve “Arditi Tours” ka njoftuar për një aksident trafiku që ka ndodhur gjatë udhëtimit të një autobusi nga Zvicra në Kosovë, rreth orës 13:30, 3 kilometra pranë kufirit Serbi-Kosovë, afër pikës kufitare Dheu Bardh.
Sipas njoftimit të kompanisë, aksidenti ka ndodhur kur një automjet me targa serbe ka dalë në anën e kundërt dhe ka goditur autobusin në pjesën e djathtë, duke shkaktuar dëme materiale.
“Një person i moshuar ka humbur kontrollin e vozitjes dhe ka dalë në anën e kundërt në drejtim të autobusit,” thuhet në njoftimin e Arditi Tours.
“Falë reflekseve të mira të vozitësit të autobusit, aksidenti është shmangur dhe autobusi është devijuar në anën e majtë, por automjeti me targa të Vranjes e ka goditur autobusin në pjesën e djathtë,” shtohet në deklaratë.
Në lidhje me pasagjerët, Arditi Tours njoftoi se “të gjithë pasagjerët kanë qenë shumë mirë dhe pa asnjë shenjë të vogël, as të gërvishtjeve.”
Kompania gjithashtu ka theksuar se asnjë pasagjer dhe as vozitësi nuk ka pësuar lëndime dhe se udhëtimi ka vazhduar pas 30 minutash.
“Pasagjerët kanë vazhduar udhëtimin për në Kosovë, duke mos pasur asnjë pengesë,” thuhet në njoftimin e Arditi Tours.
