Çdo mëngjes, faqet e gazetave mbushen me lajme për aksidente rrugore tragjike: autobusë pasagjerësh që bien në gremina malore, drejtues të dehur që përplasin këmbësorë, automjete që përplasen me kamionë të ndalur apo motorë që rrëzohen nga automjete më të mëdha.
Këto ngjarje të përditshme theksojnë një krizë të heshtur, e cila në vitin 2023 mori jetën e mbi 172 000 personave – afërsisht 474 vdekje çdo ditë, ose një çdo tre minuta.

Kjo panoramë vjen nga shteti me numrin më të lartë të popullsisë në botë, India.
Ministri i Transportit Rrugor dhe Autostradave, Nitin Gadkari, e përshkroi këtë situatë si alarmante, duke përmendur shifrat tronditëse në një ngjarje mbi sigurinë rrugore në dhjetor.
Ndër viktimat ishin 10 000 fëmijë dhe 35 000 këmbësorë. Drejtuesit e motorëve ishin po ashtu ndër më të prekurit. Shpejtësia e tejkaluar u identifikua si shkaku më i zakonshëm, ndërsa mungesa e masave bazike të sigurisë si helmetat dhe rripat e sigurimit sollën mijëra vdekje të tjera.
Problemet nuk mbarojnë këtu. Shumë aksidente ndodhin për shkak të ngarkesës së tepërt, drejtimit të mjeteve pa patentë, apo drejtimit në anën e gabuar të rrugës. Mungesa e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve është evidente: në vitin 2021, 13% e aksidenteve përfshinin drejtues pa leje.

Infrastruktura e dobët rrugore dhe dizajni i gabuar kontribuojnë ndjeshëm në këtë krizë. Auditimet e realizuara nga Qendra për Kërkime në Transport dhe Parandalimin e Lëndimeve (TRIPP) pranë IIT Delhi kanë zbuluar mungesa serioze në barrierat mbrojtëse dhe rrugët e ngritura që përbëjnë rrezik për drejtuesit, sidomos ata të motorëve.
India ka rrjetin e dytë më të madh rrugor në botë dhe rreth 350 milionë automjete të regjistruara. Megjithatë, vetëm një përqindje e vogël e këtyre rrugëve i nënshtrohet standardeve të sigurisë dhe shumë kontrata ndërtimi nuk parashikojnë penalitete për shkelje të këtyre standardeve.
Pavarësisht investimeve në zgjerimin e rrugëve, ekspertët paralajmërojnë se rrugët më të gjera nuk do të thonë domosdoshmërish më pak aksidente – përkundrazi, shpejtësia rritet dhe rreziku për jetën e këmbësorëve dhe çiklistëve shtohet.

Qeveria indiane ka nisur zbatimin e strategjisë së “5E-ve”: inxhinieria e rrugëve, e automjeteve, edukimi, zbatimi i ligjit dhe kujdesi emergjent. Në disa shtete, ndërhyrjet e fokusuara në pikat më të rrezikshme kanë sjellë përmirësime të dukshme. Megjithatë, sfida qëndron në zbatimin në shkallë të gjerë dhe në përshtatjen e zgjidhjeve me realitetin unik të trafikut indian.
Pa një qasje të integruar dhe të bazuar në të dhëna, India rrezikon të vazhdojë një cikël tragjedish të përditshme – ku rrugët bëhen më të shpejta, por jo më të sigurta.