Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump , nënshkroi dje, një “draft”, përmes të cilit përcakton 8 Majin si “Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore”, duke vlerësuar se “ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të marrin meritat për sukseset e tyre”.
“Fitorja u arrit kryesisht falë nesh, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo”, shtoi Trump, duke kujtuar se do të krijojë një tjetër “Ditë Fitoreje”: 11 nëntorin, këtë herë për Luftën e Parë Botërore.
Republikani njoftoi planet tre ditë më parë përmes një postimi në platformën Truth Social.
“Vura re se Franca, vura re se vendet e tjera po përgatiten të festojnë Ditën e Fitores”, theksoi ai dje, duke iu referuar edhe Rusisë “e cila do të organizojë një festë të madhe nesër ( më 9 maj) dhe përveç kësaj, ata humbën miliona njerëz dhe kontribuan ndjeshëm ( në fitoren ndaj Gjermanisë naziste). Por askush (nuk kontribuoi) aq sa ne. Ne morëm shumë ndihmë nga njerëz të mrekullueshëm, aleatë të mrekullueshëm, por nuk mendoj se dikush do të thotë se ne nuk ishim forca dominuese në të dy luftërat botërore”, shkruan Trump në Truth Social.
Megjithatë, ai sqaroi se 8 maji nuk do të jetë festë në SHBA.
11 nëntori është tashmë një festë federale në SHBA për të nderuar veteranët, dhe Shtëpia e Bardhë ka theksuar se “Dita e Fitores” për Luftën e Parë Botërore do t’i shtohet kësaj feste dhe nuk do ta zëvendësojë atë. 8 Maji, që festohet gjerësisht në Evropën Perëndimore (Rusia feston më 9 maj), është dita e dorëzimit të Gjermanisë naziste në vitin 1945. Pas përfundimit të armiqësive në Evropë, Lufta e Dytë Botërore vazhdoi në Azi deri më 2 shtator 1945, kur Japonia u dorëzua.
SHBA-të luajtën një rol kritik në të dy luftërat botërore, duke marrë pjesë ushtarakisht dhe duke ofruar ndihmë të konsiderueshme materiale. Por nuk është vendi që dislokoi më shumë ushtarë dhe as ai që pësoi më shumë viktima. Shtetet e Bashkuara vendosën të hynin në Luftën e Parë Botërore në vitin 1917, kryesisht për shkak të intensifikimit të sulmeve të nëndetëseve gjermane ndaj anijeve tregtare amerikane.
Pastaj ata mobilizuan 4 milionë ushtare shumë më pak se vendet aleate të Evropës (pothuajse 9 milionë për Francën dhe Britaninë, përfshirë kolonitë e tyre, 6 milionë për Italinë, 18 milionë për Rusinë). Për më tepër, humbjet e SHBA-së ishin shumë më të vogla se ato të vendeve të tjera. Në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara fillimisht ofruan ndihmë për Aleatët dhe u përfshinë në armiqësi pas sulmit japonez në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941.
Sipas të dhënave nga Muzeu Kombëtar Amerikan i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara humbën 416,800 ushtarë në këtë luftë, pak më shumë se Britania (383,600), por shumë më pak se ish-Bashkimi Sovjetik, humbjet e të cilit vlerësohen në 8.8 deri në 10.7 milionë.