Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku sipas Informacionit paraprak të policisë mësohet se një atentat me armë i është bërë shtetasit Ermir Dedja, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.
Dedja mësohet se ka qenë një person me precedentë penalë, pasi në vitin 2017 ai është arrestuar në Durrës për një bashkëpunim me Ismail Nuredinin në plagosjen e një të riu në Shijak.
Më datë 20.05.2025, në orën 00:50, në lagjen nr. 18 Durrës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
KUSH ËSHTË VIKTIMA ERMIR DEDJA?
Më 11 prill të vitit 2017 në Shijak do të plagosej me pistoletë një 25-vjeccar dhe për ngjarjen në fjalë do të arrestoheshin autori i dyshuar i plagosjes, Ismail Nuredini, 30 vjeç në atë kohë, dhe personi që e ka përkrahur, konkretisht shtetasi: Ermir Dedja 21 vjeç, banues në Durrës.
Sipas raportimeve të kohës në media Nuredini më 17 prill 2017, rreth orës 08:30, në hyrje të qytetit të Shijakut, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur në këmbë, me armë zjarri tip pistoletë, shtetasin B.K. 25 vjeç, banues në Shijak. Ky i fundit do të shtrohej në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrolleve që ka kryer policia, me qëllim kapjen e autorit, kanë kapur në një automjet “Taxi”(shtetasit e mësipërm kanë qenë pasagjerë) dhe arrestuar në flagrancë shtetasit e lartpërmendur.
Ndërkohë, gjatë kontrollit që i është ushtruar të arrestuarve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: arma e zjarrit tip pistoletë, në çantën e krahut (marsup) të shtetasit Ismail Nuredini dhe një thikë, gjatë kontrollit fizik të shtetasit Ermir Dedja.
Shtetasi Ismail Nuredini është person me precedent penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe pronës (I arrestuar në vitin 2009 për tentativë vrasje dhe 2016 për shkatërrim prone me zjarr). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit Ismail Nuredini parashikuar në nenet 76, 22 dhe 278/2 të Kodit Penal; “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe”Përkrahja e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit Ermir Dedja parashikuar në nenet 279 dhe 302 të Kodit Penal.