Përveç 52 urdhër-arresteve në Shqipëri dhe Itali në megaoperacionin kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, janë sekuestruar edhe 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.
Nën sekuestro janë vendosur shoqëria Marquez e Ervin Zeqirit, Felix Vinum e Adi Çobës, Majestic Konstruksion e Juxhin Drazhit, Portslade e Elvis Docit, i njohur si Visi Poja, Dubai Inn e Nexhmedin Danajt, Vlora Cable po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.
Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro, para cash, si të ardhura të këtij grupi kriminal, të cilat i janë nënshtruar hetimit të këtij procedimi penal.
Operacioni u krye me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK të Tiranës.
Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve.