Barcelona është vetëm një hap larg nënshkrimit të marrëveshjes së re me superyllin e skuadrës, Lamine Yamal, sipas “Libreta Digital”.
Sulmuesi i ri, një lojtar kyç në tripletën e fundit vendase të klubit, po përgatitet të nënshkruajë një kontratë të re që do të çimentojë pozicionin e tij si një nga lojtarët më të paguar në skuadër.
Sipas burimeve pranë lojtarit, raporton media spanjolle, kontrata do t’i rrisë të ardhurat e tij bruto në 40 milionë euro në sezon, do të përfshijë një klauzolë rishikimi të pagës bazuar në objektivat që fillojnë në vitin e dytë dhe një shpërndarje të të drejtave të imazhit që do t’i japë Barçës 10%.
Nënshkrimi pritet në ditët në vijim, kur Yamal-i të arrijë moshën 18-vjeçare, në korrik.
Marrëveshja është për një afat prej pesë ose gjashtë sezonesh, diçka që ende nuk është përcaktuar, por në çdo rast do ta zgjasë qëndrimin e tij në klub përtej vitit 2031.
Me këtë rinovim, talenti i dalë nga “La Masia” do të kalojë nga 1.6 milionë euro në paga neto në vit në 15 milionë euro paga neto, plus një bonus vjetor prej 5 milionësh, gjë që e rrit pagën e tij totale në shifra të denja për yje të afirmuar.
Kontrata përfshin gjithashtu një klauzolë rishikimi që lejon bonuse bazuar në arritjet individuale të lojtarit, siç janë çmimet ndërkombëtare.
Nëse gjithçka shkon siç shpreson klubi, Yamal mund të fitojë afër 25 milionë euro neto në sezon në vitin e tij të tretë sipas kësaj marrëveshjeje të re.
Nga ana tjetër, shpërndarja komerciale favorizon qartë lojtarin: 90% e të ardhurave të nxjerra nga të drejtat e imazhit të tij do të mbeten nën kontrollin e tij dhe 10% do t’i shkojnë klubit.
Kështu, Barça siguron vazhdimësinë e talentit të saj më premtues në kushtet e një ylli vërtet të klasit botëror.


