Të paktën 22 persona kanë humbur jetën, mbi 1 mijë janë plagosur, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë 6.8 të shkallës rihter, që goditi mbrëmjen e së premtes pjesën lindore të Turqisë.
Tërmeti i fuqishëm ishte me epiqendër në Sivrice, provincë e Elazig. Shumë ndërtesa e shembën, ndërsa njerëzit e kaluan natën jashtë në të ftohtë. Tërmeti i parë i fuqishëm u shoqërua nga mbi 200 lëkundje më te lehta, deri në 5 ballë. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Siri, Liban dhe në Iran.
Autoritetet Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD) zbritën menjëherë në terren dhe vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit nën rrënoja, ndërsa u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos kthehen në godina për shkak se ekziston mundësia që një tërmet pak më i lehtë se i pari mund të shkaktonte dëme edhe më të mëdha.
Turqia ka një histori me tërmete të fuqishëm. Më shumë se 17 mijë persona humbën jetën në gusht të vitit 1999 kur një tërmet me magnitudë 7.6 rihter goditi qytetin perëndimor të Izmirit.
Sipas Autoritetit Turk për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive, pas tërmetit janë regjistruar më shumë se 200 dridhje të tjera më të vogla.
Autoritetet thanë që më shumë se 400 ekipe të shpëtimit janë nisur drejt zonës së prekur nga tërmeti dhe i paralajmëruan banorët që të mos kthehen në ndërtesat e dëmtuara.
Rajoni i goditur nga tërmeti ndodhet rreth 550 kilometra në lindje të kryeqytetit Ankara dhe ka dendësi të vogël të banorëve, prandaj hollësitë për numrin e viktimave mund të vonohen.
Punën për ekipet e shpëtimit po e vështirëson edhe moti i ftohtë. Në mëngjesin e së shtunës, temperatura në vendin ku ndodhi tërmeti ishte -8 gradë, shkruan “BBC”.