Kur Edi Rama pranoi planin italian që të ngrinte qendrat çnjerëzore të emigrantëve në Shqipëri, politika, mediat dhe shoqëria civile në të dy anët e Adriatikut, thanë se ai po krijon ‘kosha emigrantësh’.
Por në një intervistë për ‘Guardian’, Edi Rama thotë se planet e Britanisë së Madhe për të ngritur qendra azilantësh në vende të treta, tregojnë se qëllimi është të gjenden vende për të flakur emigrantët.
Në intervistën e tij, Edi Rama tha se ideja që Britania e Madhe po “kërkonte vende për të hedhur emigrantët” do të kishte qenë e paimagjinueshme një dekadë më parë.
Plani i “qendrave të kthimit”, i shpallur muajin e kaluar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një vizite në Ballkan, do të përfshinte qendra në një vend të tretë që do të përpunonin kërkesat e personave të refuzuar për azil, të cilët kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një nga ato gjëra që dhjetë vite më parë thjesht nuk do të ishin të imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të hedhur emigrantët,” tha Rama.
I pyetur se përse ka pranuar të bëjë një gjë të tillë me Italinë, Rama tha: “Praktikisht jemi një vend i vetëm i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës,” tha ai. “Ne kemi një dobësi për Italinë, kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”