Nga Agron Gjekmarkaj
Dje “Akademia” hapi përsëri dyert për kalamajtë e “Rilindjes”! Ata kishin marrë vesh që zysh Etilda do jepte leksionin e parë!
Shejtanët, gjithë qejf, futen librat në çantë dhe ishin nisur drejt rrugëve të dijes plot hare!
Kultura mbetet interesi i tyre madhor. Vengu kishte bërë flokët me xhel, këmishë të bardhë me papion, pantallona treçerek me kuadrate, çorape të gjata dhe për dore e tërhiqte motra e madhe!
Çantën prej lustrafini e kishte me dy katrama!
Me një aurë melankolike e pikëllim të ëmbël, zysha hyri në klasë, nga pas e ndiqte heshtja.
Vin Hoxha e Gonxhja po ziheshin kë do populli më shumë, cili më tepër mori vota dhe i hoqën ca pëllëmba njëri-tjetrit, që aman falë i qoftë Zotit! Në gjenezë të sherrit kishte qenë kush do të kandidojë për Tiranën!?
Blendi i grisi përparësen dhe i nguli bishtagypin në vend të keq!
Plasi vaji, ulërima e shamata! Zysh Etilda u afrua ngadalë dhe e përkëdheli disi Hoxhën në flokët si xunkth e i tha:
— Në politikë lotët nuk derdhen, kapërdihen, mbahen përbrenda. Pastaj njeriu nuk duhet të zihet për atë që nuk e ka në dorë vetë.
Dhe ju ndërroi vendet:
— Ju se llogarisni fare Belën në këtë ekuacion!?
A më shihni mua si e kam vënë shpirtin në paqe dhe pres që Babo në zemër dorën të vejë dhe të më caktojë në vendin e Taos!
Vinin trazovaçin e uli me Zerqinenë dhe Blendin me Sarën!
— Po pse, ku do shkojë Tao? — pyeti një rishtar, — përsëri ministër i Brendshëm?
— Jo, jo — tha zysha, — aty po mpreh dhëmbët Ulsushi si njeri që nuk ia thyen zemrën Babos, si qengj që pi dy a tre nëna!
Nejse, sapo thashethemet u mbyllën, mësuese Etilda pyeti:
— Kush di shkrim e këndim të ngrejë dorën!?
Gjysma e grupit uli kokën. Njëri tha:
— Po të dinim, nuk vinim në shkollë, erdhëm këtu për të nxënë! Ndryshe nuk bëheshim deputet!
Zysha u mendua pak e tha:
— Mos u mërzisni, analfabetët ne i duam shumë për çiltërsinë e mendimit dhe shpirtin e bardhë. Ju jeni si tokë djerrë ku Babo e lëron, pastaj mbjell farën që do vetë dhe ju bëheni qepë, patate, groshë, hudhra e specat e Partisë!
— Po intelektual të hurit dhe të litarit ka në mesin tuaj? Të ngrihen në këmbë!
Nja 6-7 veta u çuan si me turp!
Etilda i këshilloi:
— Gjatë kësaj kohe, sa të mbyllen këto raportet e OSBE-ODHIR, mos u impenjoni shumë kulturalisht, mos shkruani veprat që dini të bëni më mirë, pushoni pak se vapë hesapi!
Në fund ajo nxori nga një çokollatë “Lindor” që të ëmbëlsohen!
Të gjithë njëzëri thanë:
— Sa e dashur Zysh Etilda, se ca të tjerë na kallën datën, pale kur të vijë akademik Shalsi si do shkojë! Nopran dhe elokuent i madh ai!?
Ca si mornica u kaluan nëpër trup, po hyrja e Tonit, si i zbritur nga qielli, shtoi sigurinë e dëboi ankthin!
Ai e filloi me një monolog:
— Rrugët e Zotit janë të pafundme! Besimi është mister dhe irracional.
Disave u dukej si gjuhë e huaj.
— Ja unë jam më i gëzuar tani si profesor se përpara kur isha një copë deputet! Duhet ta zhvishni veten nga rëndësia dhe individualiteti, nuk duhet të mendoni, duhet vetëm të zbatoni ato që thotë Babo, duhet të ushtroheni në bindje e adhurim!
Një aguridhe naiv e pyeti:
— Ç’do të bëhet me ty tani?
Profesor Toni u përgjigj pa mëdyshje:
— Ç’më duhet mua se ç’bëhet me mua, atë e di Babua! Ky është thelbi i funksionimit të Parlamentit, për këtë kumt jam këtu!
Qafiret e vegjël herë ftilloheshin, herë jo!
— Po Mamica? — pyeti një kolopuçe nga mesi.
— Ajo do vijë vetë t’ju shpjegojë misteret e Babos, por kapi kryemetaforën me Skënderbeun dhe s’ke ç’a t’i thuash!
Delirjen dhe përsosmërinë koha e mësimit e kapi kur Akademike Klodi hyri në sallë!
— Qyqja mi, qyqja mi — tha — ça ju kanë bërë kështu, ju kanë rrokanisur kokën me gjepura! Mua më thërrisni Nana Klodi! — u tha plot dashamirësi!
Trokiti dera dhe pas u shfaqën ca kamarierë me tava të mbuluara me degerm, të cilat u vendosën në mes të katedrës!
Aty kishte petulla, byrekë, trigona!
— Hani, hani — u tha ajo — se jeni hequr e tretur, ju morën shpirtin me këto dreq leksionesh, me këtë lodhje! Se kapni shtatorin!
Dhe fët, u mbushën pjatat!
Vin Hoxha me Gonxhen dhe aty bënë garë, nuk u dukej më koka pas piramidës me petulla që kishin në pjatë!
— Hallall, hallall pionierët e Babos! — thoshte Nana Klodi e gëzuar!
Aman i porositi boni kujdes mos të marrë vesh ça thuhet këtu, ai tipi që shkruan një palo kronikë, një biçim shkrim kur ne flisnim për bimët e kafshët ai na kujton Ismail Kadarenë në Kuvend! U dëgjua një psherëtimë ngjitë me murin , ky Kadare mos kishte ca plantacione hashashi nga Gjirokastra ngjitë me të miat?