Në një kohë kur tarifat e reja të vendosura nga administrata Trump kanë krijuar trazira në tregtinë globale, Shtetet e Bashkuara po përfitojnë financiarisht.
Sipas New York Times, që citon të dhëna të Thesarit Amerikan, vetëm nga prilli e deri më tani janë mbledhur 152 miliardë dollarë në formë tarifash, gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë muajit korrik, këto tarifa i sollën buxhetit amerikan afro 30 miliardë dollarë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian përballet me vështirësi për të përmbushur marrëveshjen e arritur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti Trump në Turnberry.
Pavarësisht premtimit për një tarifë të reduktuar 15% për automjetet dhe pjesët e tyre, SHBA-të nuk kanë ndryshuar tarifën aktuale prej 27.5%, që përfshin një taksë shtesë prej 25%, e vendosur nga Trump si masë për “sigurinë kombëtare”.
Për këtë arsye, ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ndodhet sot në Uashington për të takuar sekretarin e Thesarit amerikan, Scott Bessent. Në fokus janë tarifat mbi automjetet, që godasin veçanërisht industrinë gjermane.
Ndërkohë, në Bruksel, Komiteti për Barrierat Doganore i Komisionit Evropian pritet të miratojë pezullimin e përkohshëm të një pakete kundërmasash me vlerë 93 miliardë euro, të planifikuar për të hyrë në fuqi më 7 gusht në rast të mungesës së një marrëveshjeje me SHBA-të. Sipas burimeve, pezullimi do të zgjasë gjashtë muaj dhe duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare. Megjithatë, disa kryeqytete europiane e konsiderojnë këtë hap si një lëshim të panevojshëm, sidomos pasi SHBA-të nuk kanë hequr tarifat 50% për çelikun dhe aluminin.
Shtuar kësaj janë edhe pasiguritë për disa kategori mallrash si produktet farmaceutike, pajisjet për prodhimin e çipave, produktet kimike dhe vera.
“Nuk kërkojmë dëmshpërblime, por masa konkrete për të ruajtur investimet në tregun amerikan”, tha Unioni Italian i Verërave.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se tarifat e shpallura nga presidenti Trump janë “praktikisht përfundimtare” dhe nuk pritet të negociohen në ditët në vijim.
Ndërkohë, çështja ligjore për fuqinë e presidentit amerikan për të vendosur tarifa bazuar në ligjin IEEPA ka arritur në Gjykatën e Apelit në Uashington dhe pritet të përfundojë në Gjykatën e Lartë.