PRODHIM apo KONSUMIM !
Në Shqipëri po përhapet një iluzion i rrezikshëm: se turizmi është shpëtimi ynë ekonomik. Po, turistët e huaj vijnë për pushimet e tyre, jo për ne. Ata konsumojnë, shijojnë dhe ikin. Çmimet rriten, jeta për vendasit bëhet më e shtrenjtë, ndërsa ekonomia jonë mbetet e varur nga një sezon tre-mujor.
Një shembull i thjeshtë: Ksamili është bërë simbol i “suksesit turistik”, por sa vend ka realisht? Dy kilometra vijë bregdetare. Ndërkohë, Azia ka mijëra ishuj dhe askush nuk ka bërë mrekulli ekonomike vetëm me rërë dhe det. Përfituesit kryesorë janë një grusht oligarkësh dhe disa kompani të huaja, jo qytetarët e zakonshëm.
Zoti Kryeministër, duhet t’ua kujtoni të gjithë ministrave tuaj – që ende duket se nuk e dinë – se shumë vite më parë është nënshkruar Traktati A1, i cili lejon çdo produkt shqiptar që mban etiketën “Made in Albania” të shitet pa taksa doganore në tregjet e vendeve të Europës. Ky është një avantazh kolosal, i cili, nëse shfrytëzohet, mund të sjellë një bum industrial.
Mos harroni: cash flow-i në një vend kaq afër tregjeve europiane ka vlerë të jashtëzakonshme. Po të kombinohet kjo me koston e ulët të prodhimit në Shqipëri, ne mund t’i kalojmë edhe kinezët në konkurrencë. Kjo nuk është fantazi – është logjikë e pastër ekonomike.
Shqipëria duhet të lidhë marrëveshje të forta me kompani të mëdha ndërkombëtare, pa pasur asnjë kompleks, qofshin kineze, japoneze, koreane apo amerikane, për të prodhuar këtu. T’u ofrojmë lehtësira fiskale, zona ekonomike speciale, përjashtime nga doganat për pajisje, me kusht që produkti final të mbajë stampën “Made in Albania”.
Kështu funksionon industria globale: një produkt përpunohet në një vend dhe merr origjinën e tij ligjore aty. Edhe markat më të njohura e bëjnë këtë. Për shembull, shumë artikuj “Louis Vuitton” prodhohen pjesërisht në Azi, montohet një zinxhir në Evropë dhe menjëherë marrin etiketën “Made in France”. Nëse ata e bëjnë, pse të mos e bëjmë ne?
Vetëm kështu mund të krijojmë vende të qëndrueshme pune, të rrisim prodhimin vendas dhe të ngadalësojmë eksodin masiv që po boshatis vendin. Madje, me paga të mira dhe kushte pune dinjitoze, do të kishim një mundësi reale të kthenim shumë emigrantë që sot kontribuojnë në ekonomitë e Italisë, Gjermanisë apo Anglisë.
Në vend që të mbështetemi te çmimet e dhomave të hoteleve, të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, ku turizmi është vetëm një shtyllë mes të tjerave – dhe jo e vetmja shpresë. Vetëm kështu Shqipëria mund të bëhet një vend ku qytetarët jetojnë mirë, jo thjesht një kartolinë për turistët.
Helidon Kastrati