Për të dytin vit radhazi, degët e informatikës dhe inxhinieritë janë programet më të kërkuara nga të rinjtë për të vijuar studimet e larta në universitetet shqiptare. Mbi 30% e maturantëve këtë vit kanë aplikuar për një nga këto programe studimi, duke lënë pas degët e mjekësisë dhe të infermierisë.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, tregon se të rinjtë po orientohen mjaft mirë nga kërkesat e tregut të punës, vendas dhe të huaj. Ndërkohë, degët e mësuesisë vijojnë të jenë më pak të kërkuarat, duke ruajtur të njëjtin numër aplikimesh si vitet e mëparshme, afro 1500 kandidatë.
Me përfundimin e konkurseve për programet që kanë vendosur kritere shtesë, si degët e Mjekësisë së Përgjithshme, Arkitektura, Artet dhe Sportet, universitetet do të nisin llogaritjen e rezultateve. Në javën e fundit të gushtit do të shpallen listat e fituesve, për të nisur më pas regjistrimet në shkollat e larta.
Këtë vit kanë aplikuar në universitete mbi 20 200 maturantë, një shifër më e lartë se një vit më parë. Peshën kryesore e mbajnë universitetet publike, me 70% të aplikimeve, ndërsa 30% e maturantëve kanë zgjedhur institucionet private të arsimit të lartë.