Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se “vullneti ynë është që t’i ofrojmë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore, që garanton zbatimin e e atyre ndryshimeve ligjore që bëjnë të mundur përfaqësimin e shqiptarëve sipas votës së tyre dhe llogaridhënien e të zgjedhurve para shqiptarëve”.
Duke folur në një intervistë televizive, Basha shprehu bindjen se “beteja që ne kemi nisur tani është në fazën e saj përfundimtare. Nuk ka qenë e lehtë, vendimet që kemi marrë kanë qenë shumë vështira, por kanë shërbyer për të afruar ditën kur shqiptarët mund të zgjedhin qeverinë dhe parlamentin që meritojnë me votat e votën e tyre”.
Duke folur për rikthimin në tryezën e dialogut për Reformën Zgjedhore, Basha tha se “ne e hodhëm këtë hap kaq të rëndësishëm për të cilin kemi luftuar, për t’iu dhënë të drejta shqiptarëve, që të votojnë të pakërcënuar. Me kë do e bënim Reformën Zgjedhore, do linin Edi Ramën ta bënte me oligarkët dhe kriminelët apo me një parlament fals. Pa diskutim që ne jemi garancia që ky proces të bëhet ashtu siç duhet”.
Sipas Bashës, historia e majit 2017 nuk do përsëritet, pasi këtë herë ndërkombëtarët janë të ndërgjegjësuar si dikur për ligjin e Dekriminalizimit.
“Është pjesë e dialogut që PD ka me gjithë faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre në Tiranë, çka bëhet edhe më e rëndësishme në këto kohë zhvillimesh, në veçanti për Reformën Zgjedhore dhe të përpjekjes së PD-së dhe opozitës së bashkuar për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize politike përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
I pyetur për marrëdhëniet me ambasadorët Basha tha se “PD dhe ai kanë bashkëpunuar me ndërkombëtarët për interesin e shqiptarëve siç është heqja e vizave dhe futja e vendit në NATO”.
“Shqipëria nuk është penalizuar për shkak të veprimeve të PD dhe opozitës. Denoncimet tona kanë qenë pasoja të aleancës së qeverisjes së sotme me krimin”, tha Basha, duke shtuar se Shqipërinë e ka penalizuar shkatërrimi i rregullave politike.
Kreu i PD-së theksoi se “gjithë beteja jonë politike, që nga djegia e mandateve për shkak të krizës së thellë të vendit, ku asgjë nuk funksiononte dhe parlamenti ishte kthyer në fasadë, deri tek mospjesëmarrja në zgjedhje bëri që të arrinim të grisnim fasadën e propagandës dhe t’i tregonim qartë të gjithëve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që këtu ka një krizë të rëndë politike dhe zgjidhja e kësaj krize kalon përmes disa hapash, të cilat janë të përmbledhura në rezolutën e Bundestagut”.
“Ne kemi arritur objektivat politike. Sepse ndërkombëtarët dolën duke thënë se Shqipëria është në krizë dhe thanë që kjo kalohet duke bërë zgjedhje të lira”, tha Basha./ATSH/