Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, qeveria e re po planifikon të lejojë më pak media e gazetarë brenda Kuvendit. Plani në fjalë është njoftuar nga Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Në një postim, AGSH shpreh indinjatën mbi planin e mazhorancës, ndërsa i bën thirrje Kuvendit, grupit të PS të tërhiqen nga plane që dëmtojnëne lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.
AGSH kërkon nga opozita të ndalojë me çdo mjet kufizim e aksesit të mediave në Kuvend.
REAGIMI:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar për një plan të mazhorancës socialiste në Kuvend për të kufizuar gazetarët dhe mediat.
Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.
AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.
AGSH i bën thirrje opozitës në Parlament që të përdorë të gjitha instrumentet për të mos lejuar një kufizim të tillë.
AGSH do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë për këtë përpjekje kufizuese të lirisë së medias.
AGSH i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani.
Oborri i Parlamentit dhe salla e tij janë “ishulli” i fundit që u ka mbetur mediave për të bërë pyetje dhe për të xhiruar pa regji.