Janë mësuar emrat që Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i propozojë për postet ministrore në Qeverinë Kurti, e cila pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
LDK-ja, nga 15 ministritë që pritet të jenë në këtë qeveri, do të ketë gjashtë. Nga emrat e propozuar nga kjo parti, pesë nga ta janë deputetë, ndërsa një është kryetar i një komune.
Siç mëson KTV-ja, deputeti Avdullah Hoti është propozuar për zëvendëskryeministër. Deputeti tjetër Lumir Abdixhiku është propozuar për ministër të Infrastrukturës. Deputeti Besian Mustafa do të jetë ministër i Bujqësisë. Hykmete Bajrami nga pozita e deputetes do të bëhet ministre e Arsimit, ndërsa Vlora Dumoshi për ministre të Kulturës, Rinisë e Sportit. Anton Quni do të udhëheqë me ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, që u përfol gjatë si zëri kundërshtues brenda LDK-së për bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen, është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme. Kjo nënkupton se Veliu do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të komunës së Podujevës duke çuar këtë komunë në zgjedhje.
Kryeparlamentare do të jetë Vjosa Osmani e cila zëvendëson Glauk Konjufcën e VV-së që pritet të marrë post në qeveri.